Keir Starmer, foto: BBC

Starmer thotë se pamjet e arrestimit të Henry Nowakut ngrehin “pyetje serioze për policinë”

Kryeministri britanik, Keir Starmer, thotë se ka “pyetje serioze për policinë” pas publikimit të pamjeve të kamerave të trupit që tregojnë sesi reaguan oficerët ndaj vrasjes së Henry Noëakut, ka raportuar të mërkurën (03.06.2026) televizioni BBC.

Vickrum Digwa, 23 vjeç, u burgos të hënën me minimalisht 21 vjet për therjen e adoleshentit me një thikë prej 21 centimetrash për të cilën tha se e mbante si pjesë të besimit të tij sik.

Pamjet e kamerave të trupit tregojnë studentin 18-vjeçar të Universitetit të Southamptonit të prangosur dhe duke u thënë policëve: “Nuk mund të marr frymë”, pasi Digwa gënjeu oficerët në vendin e ngjarjes së therjes, duke pretenduar se kish qenë viktimë e një sulmi racist.

Qindra njerëz u mblodhën të martën mbrëma në Southampton, me përleshje midis protestuesve dhe policisë së trazirave.

Shefat e policisë po rishqyrtojnë angazhimet kundër racizmit që sugjeruan që oficerët duhet t’i trajtojnë pakicat etnike ndryshe me qëllim që të sigurojnë barazi rezultatesh.

Këshilli Kombëtar i Shefave të Policisë (NPCC) ka deklaruar se po merr parasysh shqetësimet e ngritura nga deputetët dhe se do të bëjë ndryshime ku është e nevojshme.

NPCC-ja vjet publikoi një dokument me “angazhime kundër racizmit”. Racizmi, shkruante dokumenti, është “çështje shumë reale në policim” dhe arritja e barazisë së rezultateve për njerëzit nga grupe të ndryshme etnike nuk do të thotë “trajtimi i të gjithëve ‘njësoj'”, por reagimi ndaj “rrethanave dhe përvojave” të tyre specifike.

Nuk është politikë apo trajnim formal, por Konservatorët kanë theksuar se është gabim të trajtohen njerëzit ndryshe bazuar në ngjyrën e lëkurës së tyre.

Një burim pranë sekretares së Brendshme, Shabana Mahmood, ka deklaruar se formulimi në dokument ishte i ngathët, dhe kryetari i NPCC-së, shefi i Policisë, Gavin Stephens, ka deklaruar se “kur është e nevojshme ne mund dhe do të bëjmë ndryshime”.

Mahmood i ka përshkruar trazirat në Southampton si “krejtësisht të papranueshme”.

Ajo ka deklaruar se familja Nowak kishte bërë një “thirrje të fuqishme” të hënën “për të mos lejuar që vdekja e Henryt të përdoret për të krijuar përçarje, urrejtje ose tension të mëtejshëm”.

“Nuk mund të ketë asnjë justifikim për rrëmbimin e kësaj tragjedie për të nxitur dhunë dhe çrregullim”, ka shtuar ajo.

Duke folur për transmetuesit më herët të martën, sër Keir ka theksuar se pamjet e kamerave të trupit ishin “vërtet të tmerrshme” dhe se ai “u sëmurë teksa i pa”.

Ai ka deklaruar se duhet të adresohen çështja “sesi akuzat për racizëm kanë ndikuar vendimmarrjen”.

Zyra e Pavarur për Sjelljen e Policisë (IOPC), organi mbikëqyrës i policisë, ka njoftuar se një hetim i vazhdueshëm mbi veprimet e forcave policore pritet të raportohet brenda tre muajve të ardhshëm.

Keir ka thënë se nuk përjashton një hetim më të gjerë për këtë çështje.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com