Prokurori Morina: Janë lëshuar 7 urdhra për zhvarrosje në kërkim të veprimtarit Ukshin Hoti
Në Universitetin që mban emrin e Ukshin Hotit u rikthye sërish një nga plagët më të mëdha të pasluftës në Kosovë – misteri i zhdukjes së tij.
Përballë studentëve dhe të pranishmëve, gjatë panelit diskutues në lansimin e dokumentarit të BIRN-it për personat e pagjetur në Prizren, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ilir Morina, deklaroi se institucionet kanë trajtuar dhjetëra informacione lidhur me fatin e Ukshin Hotit.
Vetëm gjatë hetimeve për rastin e tij janë lëshuar shtatë urdhra për zhvarrosje dhe gërmime. Katër prej tyre janë kryer në Lubeniq, ndërsa tri të tjera në zonën e Burgut të Dubravës, vendi ku Ukshin Hoti u pa për herë të fundit në maj të vitit 1999.
“Informacione kemi pasur me dhjetëra. Çdo informacion që ka ardhur është përpunuar nga kjo njësi e posaçme. Kemi pasur shtatë urdhra për zhvarrosje dhe ekshumim të lëshuara nga Departamenti Special i Gjykatës në Prishtinë. Me këtë rast janë kryer katër ekshumime ose gërmime në fshatin Lubeniq vetëm sa i përket rastit të Ukshin Hotit dhe tri ekshumime janë kryer në fshatin Dubravë, apo siç njihet Burgu i Dubravës”, – tha ai.
Morina bëri të ditur se hetimet janë zgjeruar edhe në Institutin e Mjekësisë Ligjore, pas dyshimeve se aty mund të ketë mbetje mortore që mund t’i përkasin Hotit.
“Ne kemi pranuar informacione se në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore mund të ketë mbetje eshtërore që mund t’i takojnë të zhdukurit Ukshin Hoti. Prandaj është kërkuar marrja e mostrave të ADN-së. Si rezultat i këtij aktiviteti kemi marrë 95 mostra gjaku me qëllim të krahasimit me gjetjet që ende gjendeshin në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, – deklaroi Morina.
Sipas tij, nga ky proces janë identifikuar pesë persona të tjerë të zhdukur, por jo edhe Ukshin Hoti.
“Si rezultat i kësaj, ne kemi identifikuar pesë trupa të personave të tjerë, por jo të Ukshin Hotit. Megjithatë, aktiviteti është duke vazhduar”, – tha ai.
Prokurori Ilir Morina theksoi se aktivitetet hetimore dhe kërkimet për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit janë ende duke vazhduar.
Ukshin Hoti ishte filozof, profesor universitar dhe veprimtar politik shqiptar nga Kosova i njohur për angazhimin e tij për çështjen kombëtare shqiptare dhe të drejtën e vetëvendosjes së Kosovës.
Ai u përball vazhdimisht me represionin e regjimit jugosllav dhe serb, duke kaluar vite të tëra në burgje dhe izolim.
Arrestimi i tij i parë ndodhi në vitin 1982, pas demonstratave studentore në Kosovë, kur u dënua me nëntë vite burg nën akuza politike për rrëzim të pushtetit dhe prishje të vëllazërim-bashkimit.
Gjatë burgimit zhvilloi edhe grevë urie për të siguruar kushte studimi. Pas lirimit në vitin 1985, ai u mbajt nën mbikëqyrje të vazhdueshme, iu ndalua aktiviteti politik dhe akademik, iu mor pasaporta dhe jetoi në izolim në Krushë të Madhe, duke u marrë me bujqësi dhe punë shkencore.
Në vitin 1992 u arrestua sërish pas organizimit të një homazhi në Brestovc të Rahovecit për viktimat shqiptare të vrara nga policia serbe.
Pas përplasjes së policisë me qytetarët shqiptarë, Hoti u dënua me 55 ditë burg.
Edhe pas lirimit vazhdoi aktivitetin politik dhe angazhimin për bashkim kombëtar.
Arrestimi i tretë ndodhi më 17 maj 1994, kur po shkonte në Prishtinë për të marrë detyrën si kryetar i partisë UNIKOMB. Edhe pse gjatë gjykimit nuk u vërtetuan akuzat ndaj tij, ai u dënua me pesë vite burg dhe u mbajt në burgjet e Dubravës, Nishit dhe Sremska Mitrovicës.
Gjatë kësaj kohe vazhdoi të shkruante dhe botoi veprën “Filozofia politike e çështjes shqiptare”.
Rasti i tij u diskutua edhe në Parlamentin Europian dhe ai u propozua për çmimin Saharov në vitin 1998.
Gjatë luftës në Kosovë, familja e tij u godit rëndë nga forcat serbe: iu dogj shtëpia në Krushë të Madhe, u shkatërruan dorëshkrime dhe libra, babai i tij vdiq pas plagosjes, ndërsa vëllai u gjet i vrarë.
Më 16 maj 1999, ditën kur i përfundoi dënimi në Burgun e Dubravës, dëshmitarët thanë se ai u largua nga burgu nën shoqërimin e rojeve serbe dhe që nga ajo ditë nuk u pa më.
Fati i tij mbetet ende i panjohur.