Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-eprorëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Të hënën ka vazhduar të japë dëshminë Sandra Mitchell, ish-vëzhguese e misionit të OSBE-së në Kosovë.

Mitchell  është dëshmitarja e 38-të e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), dhe ajo aktualisht po merret në pyetje nga mbrojtja e Thaçit, Gregory W.Kehoe dhe anëtratë e trupit gjykues.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse. Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjykatësit Charls Smith III (kryesues), Christoph Barth, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.