Gjykimi për keqpërdorime me patentë shoferë, i pandehuri: Kërkoj të dal jashtë me marrë frymë
Temperatura në sallën e Gjykatës dhe mungesa e njërit prej 31 të pandehurve ka pamundësuar mbajtjen e seancës në gjykimin për keqpërdorime me patentë shoferë.
Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku, njoftoi se për të siguruar praninë e të akuzuarit Fejzullah Rexhepi në Gjykatë është lëshuar edhe urdhëresë gjyqësore.
“Sot në ora 8:20 zyrtari policor Fehmi Kamerolli, i cili e ka pranu urdhëresën nga Gjykata, ka njoftuar Gjykatën se i pandehuri Fejzullah Rexhepi është në gjendje pothuajse të palëvizshme” – u shpreh kryetarja e trupit gjykues.
E seanca u përcoll edhe me vështirësi të shkaktuara nga zagushia në sallë si pasojë e numrit të të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre.
Si rezultat i kësaj, njëri nga të akuzuarit, Naser Llugaliu, kërkoi që të dalë jashtë.
“Po dal jashtë me marrë frymë” – u shpreh i pandehuri Naser Llugaliu.
Ankesa të ngjashme u dëgjuan në sallë, andaj gjyqtarja Fatime Dërmaku i njoftoi avokatët se janë të liruar nga obligimi për t’i mbajtur veshur uniformat.
“Lirisht togat hiqni, mundeni mi hjekë se jemi njerëz” – tha Dërmaku.
Avokati Nasuf Hasani, mbrojtës i të pandehurit Dragan Luboviq, tha se klienti i tij nuk e ka pranuar akoma aktakuzën në gjuhën serbe.
Madje Dragan Luboviq tha se aktakuzën s’e kishte pranuar as në gjuhën shqipe.
“As në serbisht, as në shqip, nuk e kam pranu” – u shpreh i akuzuari Dragan Luboviq.
Pas kësaj ankese mori masa gjyqtarja Fatime Dërmaku.
“Prokurore Shenaj Berisha ju obligoj që aktakuza të jetë e përkthyer” – dha urdhër kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku.
E njëjta u shpreh fillimisht hezituese që seanca të shtyhet dhe propozoi që procedura ndaj të pandehurit i cili për shkaqe shëndetësore nuk ishte paraqitur në gjykim të veçohet.
“Ritheksoj se në aktakuzë janë të akuzuar 31 persona… e me u shty seanca për një person, akuza është ngritë që tri vite, më 21.03.2021, nuk e di kur kryhet ky rast” – u shpreh kryetarja Dërmaku.
Por nga radhët e mbrojtësve pati insistime të vazhdueshme të shtyhet seanca për shkak të temperaturës në sallë dhe për shkak se akuzat e paraqitura janë në bashkëkryerje.
Kryetarja e trupit gjykues i pyeti nëse të gjithë janë dakord që të shtyhet seanca.
Të gjithë avokatët njëzëri kërkuan që seanca të shtyhet për shkak të kushteve.
Në fund me aktvendim të trupit gjykues vendosi të ndërpritet seanca, duke cituar kërkesat e mbrojtësve dhe gjendjen në sallë, ku temperaturat u tha të arrinin në 30 gradë Celsius.
Në këtë rast të akuzuar janë 31 persona, por njëri prej tyre Bashkim Jetullahu ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndaj tij është veçuar procedura pasi i njëjti nuk ka qenë i qasshëm për drejtësinë.
Ky rast po gjykohet nga trupi gjykues në përbërje të gjyqtarëve Fatime Dërmaku –kryetare dhe anëtarët Ertan Sejfullahu dhe Naser Foniqi.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 30.05.2024.
“Në qershor nuk rrihet edhe ma hiç, sallat janë këto që janë” – tha kryetarja Fatime Dërmaku.