Gjykata e dënon të akuzuarin me 2,000 euro gjobë pasi e pranoi fajësinë për falsifikim të dokumenteve
Gjykata e Prishtinës e ka pranuar marrëveshjen e arritur mes Prokurorisë dhe Burim Jasharit për pranimin e fajësisë dhe ka shpallur aktgjykimin për të.
Burim Jashari ishte në mesin e 31 të akuzuarve për keqpërdorim të detyrave dhe autorizimeve zyrtare në skemën e patentë-shoferëve.
Prokuroria e ngarkonte Burim Jasharin me veprën penale – rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.
Gjykata e kishte veçuar procedurën ndaj tij.
I akuzuari kishte arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranim të fajësisë, me të cilën marrëveshje ai do të përfitonte benefite lidhur me dënimin.
Dënimi i rekomanduar në bazë të kësaj marrëveshjeje nga ana e prokurorisë është burgim efektiv 6 muaj, me mundësi zëvendësimi në gjobë.
Prokurori i çështjes, Bashkim Zeqaj, në seancën e së hënës ka deklaruar se marrëveshja e Prokurorisë me të akuzuarin është në përputhje me kushtet ligjore dhe në bazë të vullnetit të lirë.
Kjo masë, sipas prokurorit, është adekuate në qëllimin e dënimit, dhe i akuzuari është njoftuar me të gjitha të drejtat dhe benefitet e marrëveshjes në fjalë.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit, avokat Rexhep Potera kërkoi nga Gjykata që dënimin me burgim ta zëvendësojë në atë me gjobë nga shuma 1,500 euro deri në 2,000 euro.
Pagesën e gjobës ai kërkoi që i mbrojturi i tij ta bënte në këste, por për një gjë të tillë, gjykatësja Fatime Dërmaku tha se nuk është e mundur për shkak që koha e kaluar në arrest shtëpiak e konsumonte në shumë të konsiderueshme gjobën.
Gjykatësja Dërmaku me aktvendim ka pranuar marrëveshjen e Prokurorisë dhe me të akuzuarin Jashari. Ky i fundit në seancë u shpreh se veprën e kishte kryer pa asnjë përfitim material ose financiar, por kishte qëllim vetëm t’i ndihmonte personit.
Në dënimin e rekomanduar nga Prokuroria, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak, nga 5 korriku deri më 4 dhjetor të vitit 2019.
Nga 31 të akuzuarit në çështjen penale të skemave me patent-shoferë, 28 të tjerë ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e 14 qershorit të këtij viti.
Gjyqtarja e rastit, Fatime Dërmaku e kishte veçuar procedurën ndaj të akuzuarit Jashari, si dhe dy të akuzuarve të tjerë, Fejzullah Ejupi dhe Bashkim Jetullahu.
Sipas informacioneve të Policisë atë kohë, personat e arrestuar dyshoheshin se u kishin mundësuar pajisjen me patentë-shoferë personave të interesuar pa kaluar nëpër testet e nevojshme.
Në mesin e këtyre personave ishin disa zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, menaxherë, mjekë dhe psikolog të një ordinance dhe bashkëpronarë të një autoshkolle.
Të akuzuarit në këtë rast janë Naser Llugaliu, Filloreta Ajvazi, Fejzullah Ejupi, Flora Ferizi, Adem Binakaj, Leurat Shehu, Agim Restelica, Flamur Lekaj, Shaban Zuka, Eduard Brahimaj, Dragan Zhivkoviq, Naser Bislimi, Azem Miftari, Labinot Ajeti, Magbule Mehmeti, Fatush Topalli, Premtim Topalli, Burim Jashari, Selim Rrustemi, Fatos Ferizi, Besfort Pozhegu, Naim Thaqi, Sylë Bejta, Ekrem Latifi, Bashkim Jetullahu, Dritmir Islami, Murtez Rama, Hasan Hasani, Milazim Demolli, Lindita Hoxha dhe Enver Fazliu.
Dosja e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar në atë kohë KALLXO.com, tregon për mënyra të ndryshme të kalimit të testeve me marrëveshje paraprake si dhe shumat të cilat kandidatët i paguanin për marrjen e një patentë-shoferi.
Të gjitha raportimet lidhur me këtë rast, mund t’i ndiqni në këtë LINK.