'Afera e patentë shoferëve', 28 të akuzuarit deklarohen për fajësinë

Janë deklarur të pafajshëm 28 të akuzuarit për veprat e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, marrje e dhënie ryshfeti si dhe vepra të tjera penale në rastin e njohur si ‘patentë shoferët’.

Për këtë rast të akuzuar gjithsej janë 31 persona, por gjykata vendosi që për disa prej tyre të veçoj procedurën.

Gjyqtarja e rastit Fatime Dermaku vendosi që për Fejzullah Ejupin të veçoj procedurën pas një ankese të mbrojtësit të të akuzuarit Ejupi, Behar Ejupi, se nuk i ka pranuar provat që kanë lidhje me këtë rast nga ana e prokurorisë.

Gjykata veçoi procedurën edhe për Burim Jasharin, për këtë të fundit do të vendoset në seancë lidhur me marrëveshje për pranim të fajësisë. Seanca për marrëveshje të fajësisë lidhur me Jasharin do të mbahet më 11 shtator.

Sipas gjyqtares së rastit seanca është veçuar edhe ndaj Bashkim Jetullahut, e mbrojtësi i tij Berat Tmava tha se nuk ka kontaktuar me klientin e tij, por që ka informacion që i njëjti gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Brenda afatit prej 30 ditësh gjykata njoftoi palët së kanë të drejtë të bëjnë kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Gjithsej në këtë rast janë të përfshirë 31 të akuzuar për veprat e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, marrje e dhënie ryshfeti si dhe vepra të tjera penale.

Të akuzuarit në këtë rast janë Naser Llugaliu, Filloreta Ajvazi, Fejzullah Ejupi, Flora Ferizi, Adem Binakaj, Leurat Shehu, Agim Restelica, Flamur Lekaj, Shaban Zuka, Eduard Brahimaj, Dragan Zhivkoviq, Naser Bislimi, Azem Miftari, Labinot Ajeti, Magbule Mehmeti, Fatush Topalli, Premtim Topalli, Burim Jashari, Selim Rrustemi, Fatos Ferizi, Besfort Pozhegu, Naim Thaqi, Sylë Bejta, Ekrem Latifi, Bashkim Jetullahu, Dritmir Islami, Murtez Rama, Hasan Hasani, Milazim Demolli, Lindita Hoxha dhe Enver Fazliu.

Më 22 janar të vitit 2019 Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, ka njoftuar se, kishin pranuar informatë se disa persona u kanë mundësuar pajisjen me patentë shoferë personave të interesuar pa kaluar nëpër testet e nevojshme.

Këtë dyshoheshin se e kanë bërë në kundërvlerë të parave varësisht nga kategoria e patentë shoferit.

Lidhur me këtë rast në muajin korrik të po atij viti, Policia e Kosovës ka zhvilluar operacion ku u arrestuan 23 persona nën dyshimin se kanë kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrja e ryshfetit.

Në mesin e këtyre personave ishin disa zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, menaxher, mjekë dhe psikolog të një ordinance dhe bashkëpronarë të një autoshkolle.

Dosja e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar në atë kohë KALLXO.com, tregon për mënyra të ndryshme të kalimit të testeve me marrëveshje paraprake si dhe shumat të cilat kandidatët i paguanin për marrjen e një patentë-shoferi.

Çmimet të cilat paguheshin për marrjen një patentë-shoferi nga kandidatët silleshin prej 400 deri në 1000 euro, varësisht kategorisë dhe marrëveshjeve paraprake me zyrtarët.

Lidhur me këtë rast deri tani është ngritur aktakuza ndaj 31 personave si dhe e njëjta është ndryshuar para mbajtjes së seancës fillestare.

Detaje të tjera të rëndësishme lidhur me këtë rast mund ti ndiqni duke klikuar në këtë LINK