Rrëfimi para gjykatës i biçiklistit që ishte goditur nga vetura

Baton Prekazi, i akuzuar nga Prokuroria e Mitrovicës për shkaktim të rrezikimit të trafikut publik ka dalë të hënën para Gjykatës.

Ndaj tij është mbajtur shqyrtimi gjyqësor i udhëhequr nga gjyqtari Gëzim Ademi, i cili pasi hapi seancën dhe konstatoi praninë e palëve të ftuara, sigurimi i gjykatës  e njoftoi gjyqtarin se i dëmtuari, dëshmitari Betim Hajra është ndaluar nga sigurimi dhe nuk i është lejuar të hyjë në sallën e gjykimit për shkak se nuk kishte respektuar kodin e veshjes kishte ardhur me pantallona të shkurtë (shorce) dhe i njëjti ishte udhëzuar që të shkonte të merrte pantallona.

Mirëpo gjyqtari hapi seancën duke konstatuar mungesën e të  dëmtuarit-dëshmitarit Betim Hajra, i cili ishte ftuar me ftesë të rregullt. Seanca vazhdoi edhe pa prezencën e avokatit të të akuzuarit Prekazi, pasi i njëjti u deklarua se dëshiron të vazhdojë seanca edhe pa praninë e mbajtësit të autorizuar të tij.

Pasi prokurori i shtetit lexoi aktakuzën, i akuzuari u ftua të deklarohej rreth pranimit të fajësisë dhe i njëjti hutohet ndërsa gjyqtari e pyeti “a je ksajde?”. Pastaj i pandehuri deklaroi se nuk e ndjen veten fajtor.

I dëmtuari Betim Hajra hyri në sallë të gjykatës pasi kishte respektuar tani  kodin e veshjes.

Prokurori në fjalën hyrëse deklaroi se “Në shkresat e lëndës kemi prova materiale të mjaftueshme si raportet mjekësore, ekspertiza e komunikacionit rrugor, deklarata e të dëmtuarit të cilat në tërësi dëshmojnë se i pandehuri ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë”.

I dëmtuari në fjalën hyrëse deklaroi se “Pajtohem me fjalën hyrëse të prokurorit dhe qëndroj prapa saj”.

Në mungesë të avokatit mbrojtës, edhe i akuzuari në fjalën e tij hyrëse u deklarua se “pajtohem me prokuroren”.

Por, kjo bëri që të reagojë prokurorja dhe gjykatësi duke ia sqaruar se pajtimi i tij me deklaratat e prokurorit nënkupton pranimin e fajësisë për akuzat që i vihen në barrë.

“Aksidenti ka ndodhur por unë nuk e ndjej vetën fajtor sepse i dëmtuari ishte në trakën (shiritin e rrugës) time dhe ishte me dëgjuese”, deklaroi i akuzuari Baton Prekazi.

I dëmtuari Betim Hajra në pyetjet e prokurores për ditën kritike, deklaroi se si kishte ndodhur rasti sipas tij.

“Kam qenë me biçikletë, kam qenë t`u lidh në rrugë, pastaj ky më ka rrok me kerr, nuk ka pasur automjete por njerëz ka pasur emrat e të cilëve nuk i di. Më ka goditur me pjesën e përparme të automjetit  pastaj unë kam shkuar përpara. Ajo ditë ka qenë me shi, kur kam dal në rrugë e kam pa se biçikleta ka rrëshqit, e mua më ka godit në shpinë makina, ku m`u ka ndalë fryma dhe për një moment kam humb vetëdijen jam ulur në një qoshe të rrugës”, tha i dëmtuari Hajra.

“Aty më janë thyer unazat e shpinës, aty disa njerëz më kanë dhënë ujë, e prej aty i pandehuri më ka dërguar te mjeku. Kur kemi shku te mjeku më kanë kontrolluar dhe më kanë bërë rëntgenin aty është vërejtur se unazat e shpinës kanë qenë të thyera dhe prej aty më kanë dërguar në Prishtinë ku aty kam qëndruar 13 ditë, 5 ditë para operacionit dhe 8 pas, gjatë operacionit më kanë vendosur protezë (vidën) tek unaza për dy vjet e gjashtë muaj, pas dy viteve kam hyrë në operacion ku mi kanë hequr vidat por jo në tërësi, probleme kam gjithmonë kam dhimbje në shpinë shume shpesh, me duhet t’i nënshtrohem terapive fizikale, nuk mund të përkulem me i lidhë këpucët, nuk mund të peshoj më shumë se 5 kg, unazat e qafës i kam të dëmtuara”, rrëfeu para gjykatës i dëmtuari Hajra.

Ndërsa i akuzuari Baton Prekazi, në pyetjet e prokurores Natasa Radovië,dha verzionin e tij të ngjarjes në ditën kritike të datës 23.07.2016.

“Nuk e mbaj mend sa orë unë kam qenë duke lëvizur por mendoj që nuk kam qenë shpejtë. Aty ndodhi aksidenti, pastaj i ka humb vetëdija pak të dëmtuarit i kanë jep ujë dhe e kam dërgu te mjeku”, deklaroi i akuzuari Prekazi.

Në pyetjen e gjyqtarit se të dëmtuarin a e ke godit kur ke filluar të kthehesh në të djathtë, apo kur je kthyer në të djathtë?

I pandehuri është përgjigjur se “E kam goditur kur kam dashtë të kthehem në të djathtë, në skaj të kryqit, duke u kthyer nga drejtimi im në pjesën e djathtë, nuk e di sa është shpejtësia km/h në kthesa”.

Në fjalën përfundimtare prokurorja gjykatës i propozoi që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit.

I dëmtuari në fjalën përfundimtare deklaroi se e përkrahu fjalën përfundimtare të prokurorisë.

Ndërsa i pandehuri në fjalën përfundimtare deklaroi se “Unë kam deklaruar më parë për këtë çështje penale dhe nëse nga ekspertiza del se jam fajtor atëherë edhe jam fajtor”.

Shpallja e vendimit do të bëhet me datën 16.07.2019 në ora 09:00.