Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com
Prokurori refuzoi që rasti të shkonte në ndërmjetësim
Në seancën e datës 02.05.2024 para Gjykatës së Prishtinës, Neri Ferizi dhe Anita Mjeku u deklaruan të pafajshme lidhur me akuzat e Prokurorisë për ‘Shkaktim të Rrezikut të Përgjithshëm’, kurse prokurori i rastit ka refuzuar që ky rast të shkojë në ndërmjetësim.
Të pranishme në këtë seancë ishin: Neri Ferizi me mbrojtësin e saj avokatin Armend Shkoza dhe Anita Mjeku me mbrojtësin e saj Av. Fitim Gashi.
Sipas procesverbalit të siguruar nga Kallxo.com, prokurori i rastit Ali Ajdini në fjalën e tij hyrëse ka deklaruar se me provat që do të administrohen nga gjykata do të vërtetohet fajësia e të akuzuarave.
Kurse mbrojtësi i Neri Ferizit, avokati Armend Shkoza në fjalën e tij hyrëse ka deklaruar se kontestojnë cilësimin juridik të veprës penale e cila i vihet në barrë Ferizit.
Avokati Shkoza kërkoi që aktakuza të ndryshohet përkitazi me ndryshimet ligjore.
“Tani një nga elementet e detyrueshme të cilat duhet të përfshihen në aktakuzën e prokurorisë është edhe identifikimi i palës së dëmtuar respektivisht dëmit të shkaktuar. Mbrojtja konsideron… se është mëse e domosdoshme dhe qenësore për të vërtetuar elementet e tërësishme të kësaj vepre penale që pretendohet nga Prokuroria që është kryer… Andaj konsiderojmë se prokuroria domosdoshmërisht duhet ta ndryshoj aktakuzën në mënyrë që gjykimi në raport me palën në procedurë të jetë i drejtë dhe i ligjshëm”– është deklaruar avokati Shkoza.
Para se të deklarohet në fjalën hyrëse mbrojtësi i të akuzuarës Anita Mjeku, avokati Fitim Gashi propozoi që rasti të referohet në procedurë ndërmjetësimi, meqenëse siç tha ai janë plotësuar kushtet ligjore për një gjë të tillë.
Por këtë propozim e refuzoi prokurori i shtetit Ali Ajdini.
“Shumë më mirë do të ishte që këto të akuzuara të pranojnë fajësinë sot se sa të shkohet në procedurë të ndërmjetësimit. Unë nuk pajtohem që të referohet rasti në procedurë të ndërmjetësimit pasi që dua të identifikohet zyrtari i qeverisë si palë e dëmtuar”– citohet të ketë deklaruar prokurori Ajdini.
Pas refuzimit të prokurorit, propozimin për ndërmjetësim e refuzoi edhe Gjykata.
“Refuzohet propozimi i mbrojtësit, avokatit Fitim Gashi, që rasti të referohet në procedurë të ndërmjetësimit pasi që për referimin e rastit në procedurë të ndërmjetësimit duhet të pajtohen të dy palët” – thuhet në aktvendimin e gjyqtares Donikë Shala- Abdyli.
Më tutje avokati Fitim Gashi vazhdoi me fjalën e tij hyrëse.
Ai tha se e kundërshtojnë aktakuzën e prokurorisë së shtetit dhe konsiderojnë se gjatë shqyrtimit gjyqësor me provat të cilat i janë bashkëngjitur kësaj aktakuze fare nuk do të arrihet të vërtetohet se e mbrojtura e tij ka kryer veprën penale në fjalë.
“Vet dispozitivi i aktakuzës bie ndesh edhe me provat dhe me deklarimin e prokurorit në këtë seancë pasi që sipas kësaj aktakuze nuk dihet pala e dëmtuar, nuk dihet pasoja e cila pretendohet që është shkaktuar për jetën e njerëzve. Nuk dihen ata njerëz të cilët pretendohet se u është rrezikuar jeta” – citohet të ketë thënë avokati Fitim Gashi.
“Ndaj konsideroj që në fund të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata të mbrojturën time do ta liroj nga aktakuza” – përfundoi avokati Gashi.
Në këtë seancë ishte paraparë të dëshmonte dëshmitari Baki Thaçi, por i njëjti nuk ka qenë i pranishëm në seancë.
“Pas kontaktimit në telefon, i njëjti ka deklaruar se nuk e ka pranuar ftesën dhe se nuk mund të vij sot në seancë” – ka bërë të ditur gjyqtarja Donikë Shala- Abdyli.
Seanca e radhës është caktuar më 16.07.2024.
Çka thotë aktakuza?
Sipas aktakuzës së ngritur më 22.12.2022 nga prokurorja Arbëresha Shala, Nerimane Ferizi e njohur si Neri Ferizi dhe Anita Mjeku, akuzohen për veprën penale ‘shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’.
Prokuroria pretendon se më datë 01.12.2022, rreth orës 17:00, në Prishtinë, gjatë protestës të organizuar nga organizata Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, të dy të pandehurat pas marrëveshjes paraprake dhe në bashkëkryerje në vendin ku kanë qenë të pranishëm një numër i madh i njerëzve nga pakujdesia kanë ndërmarr veprime të rrezikshme.
Anita Mejku, përshkruhet në dosjesn e prokurorisë, se ka pasur në dorë një bidon me lëndën djegëse benzinë të cilën e ka hedhur në drejtim të objektit të Qeverisë së Kosovës.
Ndërsa e pandehura Nerimane Ferizi pretendohet se e ka ndezur lëndën djegëse, me ç’ rast thuhet se është ndezur zjarri dhe është shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve.