Gjakovë: I afrohet fundi gjykimit të ish-zyrtarit të gjendjes civile

Në procesin gjyqësor ndaj Shkelzen Ahmetit, ish-zyrtar i gjendjes civile në Gjakovë, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për falsifikim të dokumentit zyrtar, i akuzuari dha mbrojtjen e tij.

Prokuroria pretendon se Shkelzen Ahmeti, personit N.N, ia kishte verifikuar të dhënat personale pa i verifikuar ato duke bërë që ai të regjistrohet nën emrin Bujar Vishaj, dhe të njëjtit më pas i ishte mundësuar që të pajisjet me dokumente personale te zyrtarët tjerë.

Shkelzen Ahmeti tregoi se kishte punuar si zyrtar i gjendjes civile, ndërsa tashmë punon si zyrtar ne qendrën e thirrjeve për emergjencë.

Ai tha se veprimet e tij janë normale e të ligjshme, pasi që personi Bujar Vishaj ka paraqitur një faturë të rrymës dhe e njëjta faturë për ata shërben për të kryer veprimet e mëtutjeshme dhe se dokumentet e tij mund t’i marrë edhe anëtari i familjes.

Ahmeti tha se ndryshimi i vendbanimit për të cilën akuzohet ai, merr kohë në sistem vetëm një minutë.

Ai tha se për gabimet në sistem e kishte kuptuar përmes udhëheqëses së zyrës civile, Teuta Vokshi, dhe Policisë.

Shkelzen Ahmeti tha se për veprën për të cilën akuzohet ai nuk ka asnjë faj dhe se barrën e akuzës duhet ta kishte personi që e ka regjistruar në sistem.

“Personi ka hyrë në sistem në vendlindjen e tij në komunën e Deçanit, e pastaj ai ka ardhur tek unë në Gjakovë”, tha Ahmeti.

Sipas tij, procedura e regjistrimit herën e parë është më e madhe, sepse nevojiten shënimet e Librit Amzë për të hyrë në sistem dhe pastaj lejohet qasja për ndërrim të vendbanimit.

Ai tregoi se nuk kishte qenë kompetent për regjistrimin e personave në sistem.

Trupi gjykues i përbërë nga Gëzim Pozhegu bashkë me anëtarët Mizair Shabani dhe Manduhijë Syla, caktuan 29 tetorin për seancën e ardhshme.

Seancën e fundit, i akuzuari u ballafaqua me dëshmitarë.

KALLXO.com ka raportuar edhe kur i njëjti rast ishte shtyrë.

Një seancë është mbajtur në muajin mars dhe  e njëjta kishte dështuar për shkak të mungesës së dëshmitarëve.

Ish-zyrtari i gjendjes civile në Gjakovë, Shkelzen Ahmeti, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, ishte deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës Shkelzen Ahmeti po akuzohet se personit deri më tani të panjohur, ia kishte vërtetuar të dhënat personale se kinse personi në fjalë quhej Bujar Vishaj, banues në Gjakovë.

Në aktakuzë thuhet se është vepruar në kundërshtim ligjin për vendbanimin dhe vendqëndrimin.

Aktakuza shpjegon se të njëjtën ditë të njëjtit person ia kishte lëshuar ekstraktin, me të cilin i mundësohet që në zyrën e Regjistrimit Civil, me të dhënat e rrejshme të vërtetuara nga i akuzuari, të pajiset me dokumente personale si letërnjoftim, pasaportë dhe patentë shofer.

Shkelzen Ahmeti po akuzohet edhe për falsifikim të dokumentit zyrtar, pasi që të njëjtin ekstrakt të lëshuar me të dhëna të rrjeshme, e kishte vërtetuar me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare- thuhet në aktakuzë.

Këto veprime, pretendohet se kanë ndodhur në muajin maj të vitit 2016.

Ky rast kishte dështuar edhe disa herë të tjera.

Shkelzen Ahmeti, tashmë zyrtar i emergjencave në seancën e kaluar nuk kishte ardhur pranë gjykatores në Gjakovë.