Gjakovë, kryeshefi i ujësjellësit dënohet me burg e gjobë

Kryeshefi ekzekutiv i kompanisë së ujësjellësit KRU “Gjakova”, Ismet Ahmeti, u dënua sot për raportim të rremë të pasurisë.

Atij iu dha dwnimi me 6 muaj burg, i cili dënim iu zëvendësua më dënim me gjobë në shumë prej 2 mijë euro.

Pëveç kësaj atij iu dha edhe dënimi me gjobë prej 500 eurove.

Këtë gjobë, i njëjti u obligua që ta paguajë në afat prej një muaji.

Gjykatësja e rastit, Ilirjana Hoti, gjatë shpalljes së aktgjykimit tregoi rrethanat lehtësuese të shqiptimit të dënimit, sikurse pranimi i tij i fajësisë në mënyrë të vullnetshme.

Në shqiptimin e dënimit të sotëm ishte prezent vetëm mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Ahmeti, avokati Bajram Morina.

Gjatë ditës së djeshme, i njëjti kishte pranuar fajësinë.

Akuza e ngritur në muajin maj të vitit 2020 nga prokurori Enis Gashi, tregon se këto veprime i akuzuari i ka kryer në muajin mars të vitit 2019.

Sipas aktakuzës, me 22 mars të vitit 2019, i akuzuari Ahmeti nuk kishte paraqitur të dhënat e kërkuara në deklaratën për raportimin e pasurisë, ashtu që duke qenë në cilësi të kryeshefit të KRU “Gjakovë”, për periudhën nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2018 ka paraqitur raport të rremë të pasurisë.

Në aktakuzë thuhet se ai nuk e ka shënuar shumën e saktë të të hyrave të përgjithshme, duke paraqitur pagën mujore 1 mijë e 290 euro, (1.290×12=15.480), ndërsa sipas të dhënave rë siguruara nga kompania e ujësjellësit shuma totale e të hyrave rezulton të jetë shuma neto prej 18 mijë e 933 euro.

Në këtë mënyrë, sipas akuzës Ahmeti ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve publik.