Foto: Arkiv

Gjakovë - Shtyhet gjykimi ndaj ish-zyrtarit të gjendjes civile

 

Gjykimi ndaj Shkelzen Ahmetit, ish-zyrtar i gjendjes civile, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për falsifikim të dokumentit zyrtar, dështoi sërish.

Prokuroria pretendon se Shkelzen Ahmeti, personit N.N, duke mos ia verifikuar të dhënat personale, të njëjtat ia vërteton se kinse quhej Bujar Vishaj, dhe të njëjtit më pas i është mundësuar që të pajisjet me dokumente personale tek zyrtarët tjerë.

Ish-zyrtari i gjendjes civile në Gjakovë, Shkelzen Ahmeti, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, ishte deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës Shkelzen Ahmeti po akuzohet se personit deri më tani të panjohur, ia vërteton të dhënat personale se kinse personi në fjalë quhej Bujar Vishaj, banues në Gjakovë.

Në aktakuzë thuhet se është vepruar në kundërshtim ligjin për vendbanimin dhe vendqëndrimin.

Aktakuza shpjegon se të njëjtën ditë të njëjtit person ia lëshon ekstraktin, me të cilën i mundësohet që në zyrën e Regjistrimit Civil, me të dhënat e rrejshme të vërtetuara nga i akuzuari, të pajiset me dokumente personale si letërnjoftim, pasaportë dhe patentë shofer.

Shkelzen Ahmeti po akuzohet edhe për falsifikim të dokumentit zyrtar, pasi që të njëjtin ekstrakt të lëshuar me të dhëna të rrejshme, e kishte vërtetuar me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare, thuhet në aktakuzë.

Këto veprime, pretendohet se kanë ndodhur në muajin maj të vitit 2016.

Dëshmitari Dritan Vishaj, i cili sot planifikohej të dëgjohej si dëshmitar, i njëjti mungoi sepse gjendej në botën e jashtme.

Si dhe mungesa e dëshmitarit nga zyra e gjendjes civile në Deçan të cilit i është dashur t`i dërgohej ftesa në komunën e Deçanit dhe jo në Gjakovë, e poashtu edhe në mungesë të provave të siguruara-dokumentacioni i personit Bujar Vishaj, seanca e sotme u shty për një kohë të pacaktuar.

Në fund të seancës, prokurori i rastit Ramiz Buzhala u ngrit në këmbë dhe pyeti kryetarin e trupit gjykues Gëzim Pozhegu se a përfundoi seanca dhe gjyqtari Pozhegu i tha se po, më pas prokurori hoqi togën ndërsa gjykatësi i tha që ta veshë sepse nga salla nuk është larguar trupi gjykues, mirëpo prokurori Buzhala refuzoi duke u larguar nga salla para trupit gjykues dhe një të tillë kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu e konstatoi në procesverbal.

Kallxo.com kishte raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Dje dëshmuan kolegët e të akuzuarit.

Ky rast kishte dështuar edhe disa herë të tjera.

Shkelzen Ahmeti, tashmë zyrtar i emergjencave në seancën e kaluar nuk kishte ardhur pranë gjykatores në Gjakovë.