Gjykimi i Shkëlzen Ahmetit - Foto: KALLXO.com

Ish-ofiqari, i akuzuar për falsifikim të dokumentit zyrtar, nuk vjen në Gjykatë

I akuzuari për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për falsifikim të dokumentit zyrtar, ish-zyrtari i gjendjes civile, Shkëlzen Ahmeti, nuk ka ardhur në seancën e sotme në Gjykatën e Gjakovës.

Kjo ka bërë që seanca të dështojë.

Për këtë arsye, gjykatësi i rastit, Gëzim Pozhegu, paralajmëroi se nëse i akuzuari nuk e arsyeton mungesën e tij, atëherë do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim në Gjykatë.

Në sallë nuk ishte i pranishëm as prokurori Ali Uka.

Seanca e radhës u caktua për më 18 tetor.

Ish-zyrtari i gjendjes civile në Gjakovë, Shkëlzen Ahmeti, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, ishte deklaruar i pafajshëm.

Ish-zyrtari i gjendjes civile në Gjakovë, mohon akuzat e Prokurorisë

Sipas aktakuzës, Shkëlzen Ahmeti po akuzohet se personit deri më tani të panjohur, ia vërtetoi të dhënat personale se kinse personi në fjalë quhej Bujar Vishaj.

Aktakuza shpjegon se të njëjtën ditë të njëjtit person ia lëshoi ekstraktin e lindjes, me të cilin i mundësohet që në Zyrën e Regjistrimit Civil, me të dhënat e rrejshme, të vërtetuara nga i akuzuari, të pajiset me dokumente personale si letërnjoftim, pasaportë dhe patentë shofer.

Shkëlzen Ahmeti po akuzohet edhe për falsifikim të dokumentit zyrtar, pasi që të njëjtin ekstrakt të lëshuar me të dhëna të rrejshme, e kishte vërtetuar me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare, thuhet në aktakuzë.