I akuzuari për keqpërdorim të detyrës nuk i përgjigjet thirrjes së Gjykatës së Gjakovës

Shkëlzen Ahmeti, ish-zyrtar i gjendjes civile në Gjakovë, nuk i është përgjigjur thirrjes së gjykatës. Ahmeti i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare nuk është paraqitur fare në Gjykatën e Gjakovës.

Sipas aktakuzës Shkelzen Ahmeti, akuzohet se personit deri më tani të panjohur, ia vërteton të dhënat personale se kinse personi në fjalë quhej Bujar Vishaj.

Aktakuza shpjegon se të njëjtën ditë të njëjtit person ia lëshon ekstraktin e lindjes, me të cilën i mundësohet që në zyrën e Regjistrimit Civil, me të dhënat e rrejshme të vërtetuara nga i akuzuari, të pajiset me dokumente personale si letërnjoftim, pasaportë dhe patentë shofer.

Shkelzen Ahmeti po akuzohet edhe për falsifikim të dokumentit zyrtar, pasi që të njëjtin ekstrakt të lëshuar me të dhëna të rrejshme, e kishte vërtetuar me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare, thuhet në aktakuzë.

Mungesa e të akuzuarit Shkelzen Ahmeti, ka bërë që seanca të dështojë edhe pse ai ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt dhe mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

Zyrtarja ligjore e gjykatësit Gëzim Pozhegu, tregoi se seancat e radhës janë caktuar me datën 4 dhe 5 mars.

Në sallë të gjykimit nuk prezantonte as avokati i tij Meshari Selimaj, e as prokurori Ramiz Buzhala.

Kjo është hera e dytë që dështon të mbahet kjo seancë.

Kallxo.com kishte raportuar për këtë rast.

Shkelzen Ahmeti, tashmë zyrtar i emergjencave në seancën e kaluar nuk kishte ardhur pranë gjykatores në Gjakovë.

Ish-zyrtari i gjendjes civile në Gjakovë, Shkelzen Ahmeti, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, ishte deklaruar i pafajshëm.