Sinan Vllasaliu i akuzuar për shmangie tatimore - (foto 21.09.2023)

Sinan Vllasaliu jashtë vendit, nuk mbahet seanca ndaj tij nën akuzat për shmangie nga tatimi

Këngëtari kosovar, Sinan Vllasaliu  po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për shmangie tatimi, e që pretendohet se ka dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej 24 mijë euro për periudhën kohore 2011-2015, për shkak të mosdeklarimit të qarkullimit të aktiviteteve ekonomike.

Seanca e cila ishte paraparë të mbahet më 25.04.2024, është anuluar pas kërkesës së avokatit të Sinan Vllasaliut, Florent Latifaj.

Ky i fundit përmes një shkrese e ka njoftuar Gjykatën Themelore që Vllasaliu nuk gjendet në Kosovë.

Andaj Gjyqtarja, Naime Krasniqi – Jashanica ka konfirmuar për KALLXO.com që seanca ndaj Sinan Vllasaliut i akuzuar për shmangie tatimore, nuk do të mbahet sot.

Kërkesë të ngjashme kishte pasur Latifaj edhe në seancën e cila ishte paraparë të mbahet më 26.12.2023.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, i akuzuari Sinan Vllasaliu në vazhdimësi për vitet fiskale 2011-2015 që ndërlidhet me pagesat tatimore, tarifa apo kontribute të tjera pranë ATK-së me qëllim të përfitimit të paligjshëm, nuk ka deklaruar apo ka deklaruar pjesërisht qarkullimin real nga aktiviteti i tij ekonomik dhe me këtë veprim ka dëmtuar buxhetin e shtetit në shumë prej mbi 24 mijë euro.

Kështu Vllasaliu, sipas aktakuzës, ka konsumuar veprën penale – shmangie nga tatimi.