Foto: Arkiv

Gjakovë, shtyhet për një muaj gjykimi për vërtetim të të dhënave personale të rrejshme

Gjykimi ndaj Shkelzen Ahmeti ish-zyrtar i gjendjes civile, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për falsifikim të dokumentit zyrtar, u caktua për datën 6 tetor.

Prokuroria pretendon se Shkelzen Ahmeti, personit N.N, duke mos ia verifikuar të dhënat personale, ia kishte vërtetuar të dhënat se kinse quhej Bujar Vishaj, dhe të më pas i ishte mundësuar që të pajisjet me dokumente personale te zyrtarët tjerë.

Ndonëse pas 6 muajve të caktimit të kësaj seance, sot ishte planifikuar që të dëgjoheshin disa dëshmitarë, ajo u shty pikërisht për shkak të mungesës së tyre.

Seanca e radhës u caktua për 6 tetor.

Këta dëshmitarë, sipas gjykatës, do të ftohen në mënyrë të rregullt dhe se arsyeja pse nuk janë thirrur deri tash është situata me pandeminë Covid-19 dhe gjendja shëndetësore e kryetarit të trupit gjykues.

Ndërsa, prokurori Ramiz Buzhala propozoi që deklarata e dëshmitarit Dritan Vishaj, i cili mungoi sot, të konsiderohet si e lexuar, pasi që ai gjendet jashtë shtetit. Gjykata e aprovoi kërkesën e prokurorit.

Seanca e fundit e këtij rasti është mbajtur në muajin mars dhe  e njëjta kishte dështuar për shkak të mungesës së dëshmitarëve.

Ish-zyrtari i gjendjes civile në Gjakovë, Shkelzen Ahmeti, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, ishte deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës Shkelzen Ahmeti po akuzohet se personit deri më tani të panjohur, ia kishte vërtetuar të dhënat personale se kinse personi në fjalë quhej Bujar Vishaj, banues në Gjakovë.

Në aktakuzë thuhet se është vepruar në kundërshtim ligjin për vendbanimin dhe vendqëndrimin.

Aktakuza shpjegon se të njëjtën ditë të njëjtit person ia kishte lëshuar ekstraktin me të cilën i ishte mundësuar që në zyrën e Regjistrimit Civil, me të dhënat e rrejshme të vërtetuara nga i akuzuari, të pajiset me dokumente personale si letërnjoftim, pasaportë dhe patentë shofer.

Shkelzen Ahmeti po akuzohet edhe për falsifikim të dokumentit zyrtar, pasi që të njëjtin ekstrakt të lëshuar me të dhëna të rrejshme, e kishte vërtetuar me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare- thuhet në aktakuzë.

Këto veprime, pretendohet se kanë ndodhur në muajin maj të vitit 2016.

Shkelzen Ahmeti, tashmë zyrtar i emergjencave, në seancën e kaluar nuk kishte ardhur në gjykatë.