I akuzuari i sëmurë, shtyhet seanca për grabitjen e 185 eurove

Ndue Lleshaj dhe Agnesa Dreshaj, të akuzuar për grabitjen e A. B., sot planifikohej të ballafaqoheshin me disa dëshmitarë në gjykatën e Gjakovës, mirëpo seanca e sotme u shty për muajin nëntor.

Shkak i shtyrjes së seancës ishte mungesa e të akuzuarit Lleshaj.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ndue Lleshaj, avokati Hasan Shala, tha se i mbrojturi i tij nuk ka ardhë në gjykatë sepse është i sëmurë dhe nuk mund të ngrihet në këmbë.

Andaj, për shkak të mos plotësimit të kushteve ligjore, kryetari i trupit gjykues Mentor Bajraktari, i ndihmuar nga gjyqtarët Shaqir Zika dhe Myfera Hoxha caktuan 17 nëntorin për mbajtjen e seancës së radhës.

Ndërsa, gjykatësi i rastit Mentor Bajraktari tha se nëse Ndue Lleshaj nuk paraqet dokument për gjendjen e tij shëndetësore sot, atëhere trupit gjykues për të njëjtin do të lëshojë urdhëresë për sjelljen e tij me forcë në gjykatë.

Ndue Lleshaj dhe Agnesa Dreshaj ishin deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Ramiz Buzhala, Agnesa Dreshaj dhe Ndue Lleshaj në bashkëkryerje në dhjetorin e vitit 2019 në Gjakovë i kanë grabitur para A. B.

Aktakuza thotë se e akuzura Agnesa Dreshaj me të dashurin e saj të mitur, A. B., kishin planifikuar që ta thërrisnin të dëmtuarin A. B. në banesën e saj. I dëmtuari kishte shkuar dhe në tavolinë kishte vendosur adapterin e telefonit dhe një prezervativ. Ai i kishte kërkuar të akuzuarës marrëdhënie seksuale.

Në aktakuzë thuhet se pastaj e akuzuara Agnesa Dreshaj përmes telefonit kishte njoftuar të dashurin e saj A. B., i cili sipas marrëveshjes paraprake qëndronte në një lokal së bashku më të akuzuarin Ndue Lleshaj. I mituri A. B. me vete kishte shufër prej gome dhe bashkë me Ndue Lleshajn hynë në banesë.

Aktakuza thotë se ata i janë drejtuar të dëmtuarit A. B. me fjalët: “Kush jeni ju?”, e më pas e kapin për krahu, e kontrollojnë dhe nga xhepi i pantallonave i marrin 185 euro dhe që të tre e shoqërojnë të dëmtuarin deri afër një hoteli dhe i drejtohen me fjalët: “Nëse rastin e paraqet në Polici, kena me të gjetë ku je e ku s’je”.

(Lajmi është edituar më datë 03.04.2021 te emri i të dëmtuarit për arsye të mos riviktimizimit të tij)