Burgu, ilustrim

Vrasja e dy vëllezërve në Gjakovë, ky është vendimi i gjykatës për të dyshuarin

Dy vëllezër mbetur të vdekur në mbrëmjen e 25 qershorit të këtij viti pasi dyshohet se ishin qëlluar me armë zjarri në fshatin Madanaj të Gjakovës.

E tërë ngjarja dyshohet të kishte ndodhur për shkak të një kontesti pronësor.

I dyshuari është arrestuar disa orë pas ngjarjes, ndërsa sot me vendim të Gjykatës i njëjti është dërguar në paraburgim për 30 ditë.

“Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit GJ. Gj., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes pa autorizim të armës”- thuhet në komunikatën e lëshuar nga Gjykata e Gjakovës.

Policia e Kosovës kishte njoftuar për një vrasje të dyfishtë në fshatin Madanaj të Gjakovës me 25 qershor të këtij viti.

Policia kishte konfirmuar se dy personat e vdekur dyshohet se janë qëlluar me armë zjarri.

“Mund t’ju konfirmoj se sonte rreth orës 20:20 kemi pranuar informatë se në fshatin Madanaj-Gjakovë dy persona dyshohet të jenë qëlluar me armë zjarri. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e dy personave meshkuj të moshës madhore.” – tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Policia tutje ka njoftuar se janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin.