Ish-zyrtari i gjendjes civile në Gjakovë, mohon akuzat e Prokurorisë

Ish-zyrtari i gjendjes civile në Gjakovë, Shkelzen Ahmeti, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, u deklarua i pafajshëm.

Në pyetjen e gjyqtarit Gëzim Pozhegu se a e pranon fajësinë për akuzat e Prokurorisë?

“Jo, nuk e pranoj”- u përgjigj Shkelzen Ahmeti.

Sipas aktakuzës Shkelzen Ahmeti po akuzohet se personit deri më tani të panjohur N. N., ia vërteton të dhënat personale se kinse personi në fjalë quhej Bujar Vishaj.

Aktakuza shpjegon se të njëjtën ditë të njëjtit person ia lëshon ekstraktin e lindjes, me të cilën i mundësohet që në zyrën e Regjistrimit Civil, me të dhënat e rrejshme të vërtetuara nga i akuzuari, të pajiset me dokumente personale si letërnjoftim, pasaportë dhe patentë shofer.

Shkelzen Ahmeti po akuzohet edhe për falsifikim të dokumentit zyrtar, pasi që të njëjtin ekstrakt të lëshuar me të dhëna të rrejshme, e kishte vërtetuar me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare, thuhet në aktakuzë.