Dosja e Prokurorisë: Veprimet e zyrtarit të gjendjes civile mundësuan pajisjen me dokumente personale personit me identitet të rremë

Shkelzen Ahmeti, ish-zyrtar i gjendjes civile, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për falsifikim të dokumentit zyrtar, u ballafaqua me dëshminë e ish-eprores së tij.

Sipas aktakuzës Shkelzen Ahmeti po akuzohet se personit deri më tani të panjohur, ia vërteton të dhënat personale se kinse personi në fjalë quhej Bujar Vishaj, banues në Gjakovë.

Në aktakuzë thuhet se është vepruar në kundërshtim ligjin për vendbanimin dhe vendqëndrimin.

Aktakuza shpjegon se të njëjtën ditë të njëjtit person ia lëshon ekstraktin, me të cilën i mundësohet që në zyrën e Regjistrimit Civil, me të dhënat e rrejshme të vërtetuara nga i akuzuari, të pajiset me dokumente personale si letërnjoftim, pasaportë dhe patentë shofer.

Shkelzen Ahmeti po akuzohet edhe për falsifikim të dokumentit zyrtar, pasi që të njëjtin ekstrakt të lëshuar me të dhëna të rrjeshme, e kishte vërtetuar me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare, thuhet në aktakuzë.

Këto veprime, pretendohet se kanë ndodhur në muajin maj të vitit 2016.

Teuta Vokshi, udhëheqëse e gjendjes civile në administratën e komunës së Gjakovës, tregoi procedurat që zhvillohen në sektorin e gjendjes civile.

Ajo tha se puna e zyrtarëve është regjistrimi i lindjeve, martesave, vdekjeve, sektori i shtetësisë, shkurorëzimet, pajisja me certifikata, vënja e nënshkrimit dhe vulës, për të cilat përgjegjësi përgjigjet personalisht çdo zyrtar.

Dëshmitarja Vokshi, tregoi se ekziston një formular për ç’lajmërim të vendbanimit apo vendqëndrimit.

“Për ndërrimin e vendbanimit qytetari duhet të paraqitet personalisht, nëse i njëjti ndërron vendbanimin duhet ta ç’lajmërojë vendbanimin përmes një formulari të marrë nga zyrtari i vendbanimit të parë dhe ta lajmërojë vendbanimin e ri tek zyrtari i gjendjes civile, për të cilën procedurë nuk merret ndonjë vendim i veçantë, pasi që është një procedurë e thjeshtë dhe e shpejtë”, deklaroi dëshmitarja Teuta Vokshi.

Ajo tha se parashihet që të bëhet dosja fizike për personat që e ndërrojnë adresën, dosje kjo që nuk merr numër arkivues, por krijihet si dosje personale e nënpunësit.

Dëshmitarja Teuta Vokshi, tregoi se në situatat kur një zyrtar i gjendjes civile është vënë në lajthim nga pala e panjohur dhe zyrtari e ka bërë një ndryshim lidhur me vendbanimin, atëherë ajo mund të kthehet në gjendjen e mëparshme, pasi që zyrtari ta kuptojë që është lajthitur, por i njëjti duhet ta njoftojë mbikqyrësin e tij apo ta lajmërojë policinë.

Prokuroria pretendon se Shkelzen Ahmeti, personit NN, duke mos ia verifikuar të dhënat personale, të njëjtat ia vërteton se kinse quhej Bujar Vishaj, dhe të njëjtit më pas i është mundësuar që të pajisjet me dokumente personale tek zyrtarët tjerë.

Më pas, dëshmitari Ali Tahirsylaj, zyrtar i gjendjes civile në Deçan, tregoi se për nxjerrjen e çdo dokumenti është i nevojshëm të prezentohet letërnjoftimi.

Ai tregoi se në zyrat e gjendjes civile në Deçan, kishte qenë vëllai i Bujar Vishajt dhe i njëjti i kishte thënë që vëllait të tij i kishte dalë problem në botën e jashtme, kinse dikush tjetër ishte me të dhëna të tij personale.

Dëshmitari Tahirsylaj, tregoi se pretendimet e vëllaut të Bujar Vishajt i kishte verifikuar në librin amzë dhe në ekstraktin e lindjes dhe të njëjtat kishin qenë në rregull.

Në fund të gjykimit, kryetari i trupit gjykues, Gëzim Pozhegu, propozoi si të nevojshme që të ftohet personi përkatës për lëshimin e dokumenteve personale nga Ministria për Punë të Mbrendshme si dhe nga sektori për pajisjen e letërnjoftimeve e pasaportave të kërkohet dokumentacioni i kompletuar, i personit Bujar Vishaj, e po ashtu të ftohet që të dëshmojë edhe udhëheqësi i gjendjes civile i komunës se Deçanit.

Ky gjykim do të vazhdojë edhe ditën e nesërme.

Kallxo.com kishte raportuar në vazhdimësi për këtë rast. Ky rast kishte dështuar tre herë dhe i njëjti ishte shtyrë.

Shkelzen Ahmeti, tashmë zyrtar i emergjencave në seancën e kaluar nuk kishte ardhur në Gjykatën e Gjakovës.

Ish-zyrtari i gjendjes civile në Gjakovë, Shkelzen Ahmeti, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, ishte deklaruar i pafajshëm.