Pranojnë fajësinë të akuzuarit të grabitjen e 3 pompave të benzinës në Gjakovë e Rahovec

Musë Shala e Bedrush Zymi të akuzuar së në bashkëkryerje kanë grabitur në 3 pompa të derivateve pranuan sot fajësinë kur dolën para gjykatësit të rastit Shaqir Zika në Gjakovë.

Bashkë me ta, po akuzohet edhe Liridon Morina për armëmbajtje pa leje, po i njëjti nuk ishte prezent në sallë të gjykimit dhe ndaj tij me propozim të prokurorit të çështjes Ali Uka, u veçua procedura penale.

Musë Shala dhe Bedrush Zymi duke pranuar akuzën e Prokurorisë shprehën keqardhje dhe kërkim falje ndaj të dëmtuarve për veprat e kryera.

Ndërsa gjykatësi Shaqir Zika caktoi datën 29 tetor për shpalljen e aktgjykimit.

Sipas aktakuzës, në muajin maj të vitit 2019, Musë Shala dhe Bedrush Zymi duke qenë të armatosur e të maskuar, kishin hyrë në pompen e derivative “Sllovenia Petrol” në Gjakovë me pronar Nazmi Bytyqi dhe e kishin goditur të dëmtuarin Blerim Vula me shqelma në trup, pastaj i kishin marrë 500 euro dhe një sasi të cigareve para se të iknin nga vendi i ngjarjes.

Në aktakuzë thuhet se në muajin qershor të vitit 2019, Musë Shala dhe Bedrush Zymi kishin shkuar në po të njëjtën pompë të derivative, por në lokalin e kësaj pompe, duke përdorur dhunën e kishin shtrirë përtokë të dëmtuarin Dukagjin Stublla dhe të njëjtit i’a kishin marrë 350 euro e një sasi të konsiderueshme të cigareve.

Aktakuza thotë se 6 ditë më vonë, të njëjtit, të maskuar e të armatosur e kishin ndaluar një veturë të tipit “Peugeot” në pompën “Shell” në Rahovec me pronar Lulzim Kryeziu, kishin tentuar që të hyjnë brenda në pompë me forcë por nuk kishin arritur dhe ishin larguar.

Aktakuza shpjegon se pastaj në muajin korrik të vitit 2019, Musë Shala e Bedrush Zymi të armatosur e të maskuar, kishin hyrë në pompën e derivative “Fat Oil” me pronar Ruzhdi Kryeziu, në Rahovec, i kishin kërkuar para të dëmtuarit Fatlind Kryeziu, e kishin detyruar të shtrihet për toke duke e goditur me shqelma dhe nga një dhomë tjetër e objektit kishte dalë i dëmtuari Armend Morina, të cilin e kishin detyruar që t’u jepte shumën prej 700 euro dhe 20 boksa cigare të llojit “Marlboro”.

Sipas aktakuzës, dy javë më vonë, të njëjtit në pompën e njëjtë “Fat Oil” në Rahovec, të dëmtuarit Bekim Kryeziu ia kishin marrë shumën prej 435 euro dhe kishin ikur.

Në aktakuzë thuhet se në muajin gusht të vitit 2019, dy të akuzuarit shkojnë në pompën “Shell” në Rahovec, nën kërcënimin e armës të dëmtuarit Brendon Morina dhe Qëndrim Ahmeti i kishin detyruar të shtrihen për tokë, duke i goditur me shqelma në trup kanë urdhëruar që t’u japin shumën prej 1000 eurove dhe një sasi të cigareve.

Aktakuza thotë se 10 ditë më vonë, në pompën “Fat Oil” në Rahovec, nga arka e të dëmtuarve Dardan Morina dhe Muhamet Shala kanë marrë 1000 euro dhe nga xhepi i të dëmtuarit edhe 100 euro të tjera.

Nga të gjitha këto veprime, aktakuza thotë se të njëjtit më 30 gusht 2019 janë arrestuar nga ana e Policisë.

Ndërsa, sipas aktakuzës i akuzuari Liridon Morina po akuzohet se ka mbajtuar armë dhe municion, pushkë automatike AK47 dhe armën TT, të cilat armë janë konfiskuar në shtëpinë e tij në Prizren, ndërsa i akuzuari Musë Shala po akuzohet edhe për mbajtjen e armëës dhe municionit , pistoletës TT dhe armë gjuetie “Churchill”.