Fundi i gjykimit për krime lufte në Krushë të Vogël

 

Me protesta para objektit të Gjykatë së Prizrenit, është mbajtur sot seanca e fundit në gjykimin e Darko Tasiq, i akuzuar për krime lufte në Krushë të Vogël.

I akuzuari Darko Tasiq dy ditë më parë kishte dalë para trupit gjykues pas 2 viteve që kur ka filluar gjykimi, por kur i erdhi koha të paraqiste mbrojtjen e tij nuk e tha asnjë fjalë para trupit gjykues.

“Do të mbrohem në heshtje”, u deklarua i akuzuari Tasiq, duke e shfrytëzuar të drejtën e tij që të mos deklarohet dhe të mbrohet në heshtje.

Të hënën në ora 13:30 kryetari i trupit gjykues Artan Sejrani dhe dy anëtarët tjerë, gjyqtarët Xheladin Osmani dhe Ajser Skenderi, do të shpallin vendimin e gjykatës për gjykimin e gjatë dhe me shumë dëshmitarë.

Në seancën e fundit të mbajtur sot prokurorja Drita Hajdari dhe mbrojtësi i të akuzuarit avokati Ljubomir Pantoviq paraqitën fjalën e tyre përfundimtare duke përmbledhur të gjitha faktet, dëshmitë dhe provat materiale që janë lexuar e shqyrtuar gjatë gjykimit 2 vjeçar.

Në njërën anë prokurorja speciale Drita Hajdari kërkoi dënimin e të akuzuarit Tasiq, duke thënë se ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar pretendimet e aktakuzës, ndërsa avokati Pantoviq ngriti pikëpyetje të shumta për dëshmitë e dëshmitarëve të dhëna më herët dhe para gjykatës.

Në një sallë të gjykatës me temperatura të larta, me banorë të Krushës së Vogël brenda në sallë e jashtë gjykatës duke protestuar, prokurorja Hajdari dhe avokati Pantoviq për nga një orë secili elaboruan në detaje fjalën e tyre përfundimtare, për t`i kaluar fjalën trupit gjykues deri në shpalljen e vendimit.

“Nuk ka kufoma, nuk ka krim”, tha Drita Hajdari duke iu referuar pjesës së aktakuzës, që sipas saj i akuzuari Tasiq bashkë me vëllain e tij dhe babin e tij, kishte marrë pjesë në përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ato dhe duke i hedhur në Lumin Drin.

Prokurorja Drita Hajdari tha se lidhur me pretendimet e aktakuzës se Tasiq mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë, është vërtetuar nga dëshmitë e dëshmitarëve të cilët kanë treguar se sendet e plaçkitura pas luftës janë gjetur në shtëpinë e familjes Tasiq.

Ajo më tej shtoi se, fakti se i akuzuari Tasiq ishte pjesëtar i njësisë rezervë policore, vërtetohet nga dëshmia e dëshmitarëve të cilët e kanë parë të veshur me uniformë policore dhe të armatosur, si dhe nga prova-fletorja e gjetur pas luftës në fshatin Krushë e Vogël, ku në listën e rojeve të fshatit ishte edhe emri i Darko Tasiqit me disa persona tjerë.

Prokurorja konsideron se i akuzuari Tasiq me vetëdije ka vepruar në kuadër të një sulmi të gjerë kundër popullatës civile, dhe lidhja e veprimeve që i ka ndërmarrë Darko Tasiq janë prova të mjaftueshme për gjykatën sipas prokurores Hajdari për ta shpallur fajtor dhe për ta dënuar për akuzat që i ngarkohen sipas aktakuzës.

Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Darko Tasiq, avokati Ljubomir Pantoviq gjithashtu rreth një orë paraqiti argumentet e mbrojtjes, duke vënë në dyshim deklarimet e dëshmitarëve, ndërsa duke thënë se prokuroria me asnjë provë të vetme nuk ka dëshmuar pretendimet e akuzës, dhe në disa momente gjykimi është zhvilluar edhe jashtë kornizës së aktakuzës duke tejkaluar pretendimet e prokurorisë.

“Ne në asnjë moment as rrethanë nuk duam të mohojmë krimet apo të zvogëlojmë apo edhe të vëmë në pikëpyetje ngjarjet e ndodhura me datë 25 mars të vitit 1999 në Krushë të Vogël”, tha avokati Pantoviq në fillim të fjalës së tij përfundimtare.

I njëjti tha se në fshatin Krushë të Vogël në fund të marsit të vitit 1999 ka ndodhur një krim i rëndë “ky është fakt, dhe ka ndodhur ku janë vrarë civil të pafajshëm”.

Por sipas tij edhe përkundër faktit se Darko Tasiq në bazë të pikave të aktakuzës nuk është i akuzuar për vrasje, thuajse i gjithë gjykimi ka qenë i zhvilluar nën pretendimet për vrasje, andaj edhe sipas avokatit Pantoviq është krijuar përshtypja në publik se gjykimi është duke u mbajtur për vrasje dhe se kjo përshtypje është krijuar edhe nga deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në gjykatë.

Avokati Pantoviq tha se në dispozitiv të aktakuzës askund nuk gjendet fjala vrasje apo fjalë tjetër që do të lidhte Darko Tasiqin me vrasjet të kryera në Krushë të Vogël.

Avokati Pantoviq tha se nga dokumentarët e paraqitur në gjykatë, të realizuar nga gazetari britanik John Sweeney, janë përmendur shumë emra të serbëve në Krushë të Vogël, po jo edhe emri i Darko Tasiqit.

Tutje, ai tha se në mënyrë të panevojshme nga gjykata janë administruar disa prova të cilat nuk kanë lidhje me pikat e aktakuzës, andaj gjykata duhet t`i anashkalojë të gjitha provat dhe rrethanat që nuk ndërlidhen me të akuzuarin Darko Tasiq.

Sipas tij, me këtë aktakuzë Darko Tasiq nuk akuzohet për vrasje dhe se ai nuk ka qenë pjesë e ushtrisë serbe, për të cilën arsye kërkoi nga trupi gjykues që të jenë objektiv në rastin e vendosjes, në mënyrë që të mos ndikohet nga krimet që kanë ndodhur në kohë të luftës në Krushë të Vogël.

Avokati ka përmendur dëshmitë e dëshmitarëve të dhëna ndër vite, fillimisht në vitin 2012, e pastaj në vitin 2018 kur është arrestuar Darko Tasiq, të cilat dëshmi sipas avokatit dallojnë dhe janë kundërthënëse nga dëshmitë e dhëna para Gjykatës nga të njëjtit dëshmitar.

Mbrojtësi Pantoviq përmendi faktin se dëshmitarët në deklarimet e mëhershme para EULEX-it, apo prokurorëve të huaj asnjëherë nuk e kishin përmendur të akuzuarin Darko Tasiq, e pastaj sipas avokatit pas arrestimit të Darko Tasiq, kur në fillim të vitit 2018 të njëjtit dëshmitarë ishin marrë në pyetje kanë filluar ta përmendin se kanë parë të akuzuarin Darko Tasiq duke marrë pjesë në veprimet e ushtarëve dhe policisë serbe.

Andaj sipas avokatit këto dëshmi nuk janë cilësore dhe të besueshme në bazë të të cilave do të mund të vërtetohej dhe të krijohej dyshimi i sigurtë se Darko Tasiq ka qenë i përfshirë në veprimet që e akuzon Prokuroria.

“Fajtorët e vërtetë janë në liri”, tha avokati Pantoviq, duke aluduar që emrat të cilët përmenden nga dëshmitarët si vëllai dhe babai i Darko Tasiqit.

Ljubomir Pantoviq në fund pyeti trupin gjykues se a duhet të iu besohet dëshmitarëve të cilët thonë se e kanë parë Darko Tasiq të merr pjesë në veprimet që konsiderohen si krime lufte vetëm pas arrestimit të tij, por që më herët të njëjtin dëshmitarë nuk kishin përmendur Darko Tasiqin të kenë parë nëpër fshat në kohën kur kanë ndodhur krimet e luftës në fshatin Krushë e Vogël.

Fjalët e mbrojtësit Pantoviq nuk ishin të fundit, pasi që prokurorja Drita Hajdari kërkoi të sqaronte pretendimet e avokatit për dëshmitë e dëshmitarëve.

“Hetimi për krimet e luftës në Krushë të Vogël nuk është zhvilluar vetëm ndaj Darko Tasiq, por ndaj 36 personave të dyshuar“, andaj sipas Prokurorisë duhet kuptuar dëshmitarët të cilët kanë dëshmuar për të gjitha krimet dhe për të gjithë të dyshuarit, dhe nuk i janë referuar vetëm të akuzuarit Darko Tasiq.

Dita e hënë në orën 13:30 është caktuar për shpalljen e vendimit të Gjykatës së Prizrenit, deri kur trupi gjykues është tërhequr për “pleqërim dhe votim” për të marrë vendimin.

Kallxo.com ka raportuar nga të gjitha seancat e zhvilluara në rastin Darko Tasiqit.

Kasum Hajdari, Bajram Zylfiu, Agron Limani, Kadri Muharremi, Xhafer Muharremi, Drita Batusha, Shaban Avdyli, Driton Limani, Gani Zylifu, Driton Hajdari, Mark Prekpalaj, Tom Prekpalaj, Milazim Duraku, Bedri Limani janë banorë të Kurshës të cilët kanë dëshmuar në këtë gjykim.

Gjithashtu në këtë gjykim ka dëshmuar edhe gazetari Britanik John  Sweeney, dokumentari i të cilit është paraqitur si provë në këtë gjykim.

Në këtë gjykim kanë dëshmuar edhe dy hetues të Policisë së Kosovës nga sektori për krime të luftës.