Gjykimi i Darko Tasiqit - Foto: KALLXO.com

Dy hetues policorë dëshmojnë në gjykimin e Darko Tasiqit për masakrën në Krushë të Vogël

Dy hetues të Policisë së Kosovës nga sektori për krime të luftës kanë dëshmuar në gjykimin e Darko Tasiqit, i akuzuar për pjesëmarrje në masakrën ndaj civilëve shqiptarë në fshatin Krushë e Vogël të Prizrenit.

Hetuesit policorë thanë se kanë qenë të angazhuar me autorizim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për të dalë në vendin e ngjarjes dhe për të mbledhur informacione.

Hetuesi nga sektori i Krimeve të Rënda N.N. (emër i njohur për redaksinë), tregoi se nga Prokuroria Speciale kishin marrë autorizim për të dalë në vendin e ngjarjes dhe të kontaktojnë dëshmitarë okularë të cilët kishin parë të hidhej kamioni ngjyrë portokalli në lumin Drin, e që në brendi dyshohej se ka pasur kufoma.

“Më 5 janar të vitit 2018 kemi qenë te lumi Drin, e unë kam pasur kontakt me 3 dëshmitarë, Xhafer Muharremin, Kasum Hajdarin dhe Mark Prekpalaj”, tha hetuesi policor, duke përmendur emrat e personave që tashmë kanë dëshmuar në këtë gjykim.

“Pasi që kemi biseduar me dëshmitarët kemi shkuar në secilin vend ku kanë qenë dëshmitarët, e i kemi marrë koordinatat e lokacionit dhe jemi afruar afër lokacionit ku ka qenë kamioneta”, tregoi hetuesi i krimeve të luftës.

I njëjti tregoi se kanë fotografuar nga vendi ku kanë qenë të pozicionuar dëshmitarët që kishin parë ngjarjen, e pastaj edhe eksperti i forenzikës kanë bërë matjen e lokacionit nga vendi ku kanë qenë të vendosur dëshmitarët deri te vendi ku ka qenë kamioneta.

“Dukshmëria ka qenë e mirë, për shkak të kushteve atmosferike dhe pozitës gjeografike ku kanë qenë dëshmitarët”, tha hetuesi, duke shtuar se dëshmitarët nuk kanë pasur pengesa për të parë ngjarjen.

Edhe dëshmitari i dytë është hetues policor në Drejtorinë e Krimeve të Rënda, në sektorin e Krimeve të Luftës dhe Personave të Zhdukur.

Ai tha se ka qenë i involvuar në hetimin në çështjen ndaj të akuzuarit Darko Tasiq me autorizim të Prokurorisë Speciale.

Dëshmitari tha se ka qenë i angazhuar për shikimin e vendit të ngjarjes dhe identifikimin e dëshmitarëve.

Këta dëshmitarë sipas hetuesit policor kanë qenë dëshmitarë që kishin parë vendin e ngjarjes dhe momentet kur dhe si kishte ndodhur ngjarja me kamionin ngjyrë portokalli.

“Lokacioni ku kemi dalë ka qenë buzë lumit Drin, dhe shikimi nga fshati Ana e Drinit për në lumin Drin ka qenë e qartë dhe pa pengesa, sepse pozita e pjerrët e fshatit Ana e Drinit ka qenë ashtu që shihej lumi Drin që ishte në pozitë të rrafshët”, shtoi hetuesi policor.

Fillimisht pasi kishin identifikuar dëshmitarët okularë, që kishin parë ngjarjen e ndodhur me kamionin ngjyrë portokalli, hetuesi policor rrëfeu se pasi që kishin kontaktuar me dëshmitarët veç e veç, e pas dëgjimit të dëshmitarëve për vendet se ku kishin qenë ata në kohën kur ka ndodhur ngjarja, kjo i ka shërbyer hetuesve policorë si bazë me të cilën kishin filluar që të evidentojnë vendin e ngjarjes.
“Të gjithë vendin e ngjarjes e kemi identifikuar dhe për secilin kemi bërë raporte, fotografi dhe skica si dhe raportin mbi vendin e ngjarjes”, tha ai.

Të gjitha këto gjenden si prova të bashkangjitura me aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Për të hetuar rreth rastit të autorizuar nga Prokuroria Speciale kanë qenë 4 njësi me nga 2 zyrtarë policorë hetues nga sektori i Krimeve të Rënda.

Më dy hetuesit policorë përfundoi edhe kjo seancë gjyqësore.

Seancat e radhës janë caktuar për datat 13 dhe 14 maj, kur si dëshmitar pritet të dëgjohet gazetari anglez John Sweeney, i cili punoi dhe zbuloi krimet që forcat serbe kryen mbi banorët e fshatit Krushë e Vogël.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Darko Tasiq, ndërmjet datave 15 dhe 26 mars 1999, në lagjen e njohur si lagjja “Hajdari”, në Krushë të Vogël, të Prizrenit, si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Jugosllavisë, në bashkëkryerje me kryes të tjerë ende të papërcaktuar mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim i paligjshëm dhe të qëllimshëm i pasurisë (djegie të shtëpive) dhe vjedhje të pasurisë.

Sipas aktakuzës e gjithë kjo nuk justifikohej me nevojat ushtarake, e që rezultoi me djegien e shtëpive, marrjen e automjeteve, makinerisë bujqësore dhe sendeve të tjera me vlerë që i përkisnin Kasum Hajdarit si dhe anëtarëve tjerë të familjes.

Me këto veprime sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se ka kryer veprën penale të plaçkitjes, shkatërrimit të qëllimshëm dhe sulmit të rëndë ndaj dinjitetit njerëzor.

Aktakuzën e prokurorisë speciale e përfaqëson prokurorja Drita Hajdari.

Dëshmitari Agron Limani, në njërën nga seancat e kaluara, kishte dëshmuar si kishte mbledhur të dhëna dhe statistika për gjendjen në Krushë të Vogël pas masakrave të marsit 1999.

https://kallxo.com/deshmitari-ne-krushe-te-vogel-u-vrane-rreth-70-burrave-dhe-djemve/

Ndërsa, Kadri Muharremi gjatë rrëfimit të tij kishte deklaruar se e kishte njohur Darko Tasiqin dhe vëllanë e tij Sveta Tasiq në momentet kur sipas tij e kishin djegur kamionin me trupat e njerëzve të vrarë e të gjallë të plagosur.

“Me datë 26 mars 1999, rreth orës 14:30, në lumin Drin, kam qenë larg rreth 100 metra, e kam parë se si Darko Tasiq së bashku me vëllanë Sveta Tasiq, i kanë vendosur mendoj që benzinë kamionit, pastaj ia kanë futur flakën, Në kamion  ka pasur edhe njerëz të gjallë, edhe i kemi dëgjuar britmat e njerëzve, aty kanë gjuajtur edhe me të shtëna, kamioni ka qenë i mbuluar me ceradë e nuk i kam parë njerëzit brenda. Ky kamion ka ngelur duke u kallur rreth 1 ditë e gjysmë”, kishte rrëfyer dëshmitari Muharremi.

https://kallxo.com/gjykimi-per-krime-lufte-deshmitari-rrefen-si-degjoi-britmat-e-viktimave-ne-kamionin-e-djegur/

www.kallxo.com