Foto: Kallxo.com

Gjykimi për krime lufte në Krushë të Vogël, Darko Tasiq mbrohet në heshtje

Darko Tasiq, i cili deri në vitin 1999 kishte jetuar në Krushë të Vogël bashkë me familjen e tij, tash po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për vepra krime të luftës kundër popullatës civile shqiptare.

Tasiq doli sot para gjykatës pas 2 viteve që kur ka filluar gjykimi, por në kohën kur i erdhi koha të paraqiste mbrojtjen e tij nuk e tha asnjë fjalë para trupit gjykues.

“Do të mbrohem në heshtje”, u deklarua i akuzuari Tasiq, duke e shfrytëzuar të drejtën e tij që të mos deklarohet dhe të mbrohet në heshtje.

Tashmë gjykimi është në fazën përfundimtare kur të mërkurën Prokurorja që përfaqëson aktakuzën Dria Hajdari dhe mbrojtësit e të akuzuarit Darko Tasiq do të paraqesin fjalën e tyre përfundimtare.

Pas fjalës përfundimtare të palëve, trupi gjykues brenda 3 ditëve shpallin vendimin e tyre.

Pikërisht në qershor të vitit 2018 kishte filluar gjykimi ndaj të akuzuarit Darko Tasiq, i cili ishte deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave të Prokurorisë.

Pasi që kanë kaluar më shumë se tre muaj nga shqyrtimi i fundit, sipas kodit të procedurës penale shqyrtimi ndaj Darko Tasiq ka nisur nga fillimi.

Kryetari i trupit gjykues Artan Sejrani, përsëri sikurse në qershor të vitit 2018 edhe sot i parashtroi të njëjtën pyetje të akuzuarit Darko Tasiq lidhur me deklarimin e tij.

Edhe sot Darko Tasiq tha se ndihet i pafajshëm, dhe tha se do të mbrohej në heshtje, duke mos i ‘u përgjigjur pyetjeve të mbrojtësve të tij, prokurores apo trupit gjykues.

Trupi gjykues meqenëse gjykimi kishte ri –filluar, lexoi të gjitha deklarata e dëshmitarëve të dhëna gjatë dy viteve para gjykatës, dhe lexoi të gjitha shkresat dhe provat tjera të prokurorisë dhe mbrojtjes.

Kasum Hajdari, Bajram Zylfiu, Agron Limani, Kadri Muharremi, Xhafer Muharremi, Drita Batusha, Shaban Avdyli, Driton Limani, Gani Zylifu, Driton Hajdari, Mark Prekpalaj, Tom Prekpalaj, Milazim Duraku, Bedri Limani janë banorë të Kurshës të cilët kanë dëshmuar në këtë gjykim.

Gjithashtu në këtë gjykim ka dëshmuar edhe gazetari Britanik John  Sweeney, dokumentari i të cilit është paraqitur si provë në këtë gjykim.

Në këtë gjykim kanë dëshmuar edhe dy hetues të Policisë së Kosovës nga sektori për krime të luftës.

Kallxo.com ka raportuar nga të gjitha seancat e zhvilluara në rastin Darko Tasiqit.