Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Gjykimi në mungesë për 21 të akuzuarit për krime lufte nis më 1 korrik 

Seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen ku janë të akuzuar 21 persona për krime lufte kundër popullsisë civile, do të mbahet më më 01.07. 2026 në orën 09:00 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka bërë të ditur se rasti ka të bëjë me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale, ndaj të pandehurve: Zlatomir Pesiq, Mladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Duqko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavljeviq, Bogoljub Janiçeviq, Slavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Krsmna Jeliq, Ljubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Milos Doshan, Ljubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq dhe Milovan Kovaçeviq.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 15.08.2025 ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave për krime lufte kundër popullatës civile, të kryera gjatë periudhës janar-qershor 1999.

Sipas Prokurorisë Speciale, veprimet e ndërmarra nga të pandehurit kanë rezultuar me dëbimin masiv të shqiptarëve nga Kosova.

Të gjithë këta po akuzohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas propozimit të Prokurorisë Speciale, gjykimi do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, pasi të akuzuarit kanë qenë të pa arritshëm deri në ngritjen e aktakuzës. 

Për këtë arsye, gjykata u ka bërë thirrje të akuzuarve që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të drejtësisë në Kosovë.

Po ashtu, u është bërë thirrje qytetarëve që posedojnë informacione për vendndodhjen e të akuzuarve që t’i njoftojnë Policia e Kosovës ose institucionet kompetente.

“Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve tjera kompetente”- thuhet në njoftimin e Gjykatës, të lëshuar më 09.05.2026. 

KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë ndaj të pandehurve Zlatomir Pesiq, Mladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavleviq, Bogolub Janiçeviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Krsman Jeliq, Lubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Millosh Doshan, Lubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq, dhe Milovan Kovaçeviq.

I pandehuri Zlatomir Pesiq po akuzohet në cilësinë e komandantit të Rrethit Ushtarak në Prishtinë, i pandehuri Mladan Cirkoviq në cilësinë e komandantit të Brigadës 15 të Blinduar të Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë, i pandehuri Radomir Markoviq në cilësinë e shefit të Divizionit të Sigurimit Shtetëror (RDB, pjesë e MPB-së serbe), i pandehuri Dushko Adamoviq në cilësinë e ndihmësit të kryeshefit në administratën policore në MPB, i pandehuri Obrad Stevanoviq në cilësinë e shefit të Administratës të RJB (Njësive të Veçanta  të Policisë-PJP) MPB-së për Kosovë, i pandehuri Zhviko Trajkoviq në cilësinë e komandantit të Njësive Speciale Antiterroriste (SAJ), i pandehuri Goran Radosavleviq në cilësinë e komandantit kundër terrorizmit i Njësive të Veçanta të Policisë dhe për nënnjësitë që njiheshin si Grupe Operative Ndjekëse në kuadër të MPB të Serbisë.

I pandehuri Bogolub Janiçeviq po akuzohet në cilësinë e kryeshefit të SPB (SUP) Ferizaj në vitet 1998-1999, i pandehuri Sllavisha Ivanoviq në cilësinë e shefit të sektorit në SPB Prishtinë, i pandehuri Boshko Vukiçeviq në cilësinë e shefit të sektorit për delikeë gjaku në SPB Prishtinë, i pandehuri Sreten Popoviq në cilësinë e komandantit të togut të grupit operacional OPG, i cili i përkiste njësisë 123 të ndërhyrjes policore të njësive të Policisë (PJP), i pandehuri Nikolla Petroviq në cilësinë e komandantit të Brigadës 175 të Këmbësorisë, i pandehuri Krsman Jeliq në cilësinë e komandantit të Brigadës 243 të Mekanizuar të Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë, i pandehuri Lubisha Stojimiroviq në cilësinë e komandantit të Brigadës 72 të Forcave Speciale të Ushtrisë së Republikës Federale  të Jugosllavisë.

I pandehuri Bozhidar Deliq po akuzohet në cilësinë e komandantit të Brigadës 549 të Mekanizuar të Këmbësorisë të Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë, i pandehuri Radajko Stefanoviq në cilësinë e komandantit të Brigadës 52 të Artilerisë së Përzier të Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë, i pandehuri Dragan Zhivanoviq në cilësinë e komandantit të Brigadës 125 të Motorizuar të korpusit të Prishtinës të Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë, i pandehuri Millosh Doshan në cilësinë e komandantit të Brigadës 52 të Mbrojtjes Kundërajrore të Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë, i pandehuri Lubinko Cvetiq në cilësinë e kryeshefit të SPB Mitrovicë, i pandehuri Bozhidan Filiq në cilësinë e kryeshefit të SPB në Ferizaj, i pandehuri Milovan Kovaçeviq në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Gjakovë (SUP).

21 të akuzuarit nga Prokuroria Speciale po akuzohen se gjatë muajve janar-qershor të vitit 1999 gjatë konfliktit të armatosur dhe luftës në Kosovë kanë ushtruar autoritet dhe kontroll efektiv mbi forcat që vepronin nën përgjegjësinë e tyre.

Sipas aktakuzës, 21 të akuzuarit kanë qenë në dijeni dhe kanë pasur informacione që kanë pasur në dispozicion, raporteve operative, komunikimeve të brendshme, dhe prezecës nëpër zona kanë qenë në njohuri të mjaftueshme për të ditur se në forcat nën komandën ose kontrollën e tyre po kryeheshin veprime që përfshinë shkatërrimin e pronës, djegien e shtëpive dhe objekteve të infrastrukturës civile, përndjekjen dhe ndalimin arbitrar të personave në baza etnike, përfshirë sulme të armatosura ndaj fshatrave dhe qyteteve të banuara me popullsi civile shqiptare me qëllim të zhvendosjes me dhunë.

Sipas aktakuzës, këto veprime të të akuzuarve në fund rezultuan me organizmin e kolonave të detyruara të civilëve shqiptarë me qëllim dëbimin nga Kosova drejt kufijve shtetërorë në drejtim të Republikës së Shqipërisë dhe Maqedonisë, që në përgjithësi ishin rreth 862,979 civilë të dëbuar.

Çfarë thot dosja e Prokurorisë ndaj 21 të akuzuarve për dëbimin e mbi 800 mijë civilëve shqiptarë gjatë luftës më 1999?

Gjykimet për krime lufte

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998-1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-Kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.

Nikolla Shainoviq, Zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Dragolub Ojdaniq, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Nebojsha Pavkoviq, ish-Komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Vlladimir Llazareviq, ish-Komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Sreten Llukiq, ish-Shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.

Artikujt e KALLXO.com në lidhje me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.