Gazetari britanik Johnw Sweeney - 07.02.2020

Rrëfimi i gazetarit britanik John Sweeney për masakrën në Krushë të Vogël

Gazetari britanik John Sweeney ka rrëfyer për masakrën në fshatin Krushë e Vogël, në gjykimin ndaj serbit të akuzuar Darko Tasiq.

Sweeney kishte bërë dokumentarin “Serb genocide against Albanians” – “Gjenocidi serb kundër shqiptarëve”.

John Sweeney, tregoi se në vitin 1999-të kishte punuar si gazetar në një nga gazetat më të njohura në Londër.

Ai tha se nuk ka qenë e mundshme që gjatë luftës të qëndrojnë në Kosovë gjatë bombardimeve, por që është munduar që të jetë më afër Kosovës, në Tiranë, ku kishte hasur edhe në dëshmitarë okularë.

Rrëfimi i tij para Gjykatës së Prizrenit, ishte se dorasit e asaj masakre, në atë kohë i kishte quajtur si njerëz të Millosheviqit.

“Ne takuam të mbijetuarit, një grup të njerëzve duke ecur përgjatë rrugës të rraskapitur, ndala veturën, bisedova me ta dhe më treguan se kishte ndodhur një masakër në Krushë të Vogël, një masakër në stallë ku djem dhe vajza janë vrarë dhe djegur”, deklaroi dëshmitari John Sweeney.

Ai tha se kishte dëgjuar që disa njerëz ishin fshehur nën trupat e pajetë dhe njëri prej tyre ishte edhe një djalë me duar të djegura, i cili sipas tij ishte rrëfyesi i asaj masakre, të cilin më vonë e kishte paraqitur edhe në filmin e tij.

“Në bëmë dy filma dokumentar. I pari ka qenë në prill dhe është paraqitur në muajin maj dhe i dyti në qershor 1999 në Shqipëri, sepse gazetarët si unë nuk kemi mundur që të hyjmë në Kosovë”, tha dëshmitari John.

Gazetari britanik John Sweeney, tregoi se në Kosovë kishte hyrë me forcat britanike bashkë me kameramanin e tij Jems Miller, me 13-14 qershor.

Gazetari Sweeney, tha se shoku i tij Jems Miller ishte vrarë në Gaza, në Palestinë, në vitin 2003.

Me hyrjen e tij në Kosovë, John Sweeney kishte takuar afërsisht 20 dëshmitarë, por që në filmin e tij kishte paraqitur ata më kryesorët, e në veçanti Mehmetin me duar të djegura.

Ai tregoi se një grua plakë në rrëfimin e saj, i kishte treguar që kishte njohur keqbërësit me maska, e një ndër ta kishte qenë edhe një person me emrin Dhimitri.

Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit John Sweeney nga prokurorja Drita Hajdari, mbrojtja e të akuzuarit Darko Dasiq kishte vërejtje, me arsyetimin se pyetjet duhet të bëhen sipas dispozitivit të aktakuzës dhe sa Darkoja nuk është i akuzuar për vrasje e masakër.

Ndërsa prokurorja Drita Hajdari replikoi, duke thënë që “Avokati Lubomir Patoviq, ose nuk di ose nuk do me dit, që veprat e krimeve të luftës ndodhin gjatë konfliktit të armatosur gjatë luftës, filmi i dëshmitarit është administruar si provë dhe do t`i dëgjojmë shpjegimet e tij”.

Dëshmitari gjatë dëshmisë së tij për masakrën në Krushë të Vogël, tregoi se çka kishte parë aty.

Ai tha se Krushën e Vogël e kishte gjetur të zbrazët, shtëpitë e shqiptarëve të djegura, shtëpitë e serbëve të zbrazëta e të padëmtuara dhe nuk iu kishte besuar syve të tij se stalla që tregohej nga dëshmitarët ishte tërësisht e shkatërruar.

John Sweeney, gjatë mbledhjes së fakteve për filmin dokumentar të tij, tha se kishte qëndruar në Kosovë rreth një javë përkatësisht në Prizren dhe çdo ditë kishte udhëtuar për në Krushë të Vogël.

Në shtëpi të serbëve gazetari britanik John Sweeney, kishte gjetur video, foto dhe një orar të forcave serbe.

Ai tregoi se banorët e atij fshati, i kishin thënë që një kamion me trupa të pajetë të shqiptarëve gjendej në lumin Drini i Bardhë.

“Banorët që ishin kthyer na kanë thënë që ekziston një kamion në lumin Drin, me trupa të pajetë dhe kur shkuam aty kishte qenë kamioni i dëmtuar nga moti, në skaj të bregut të lumit me kufoma jo shumë të dukshme”, tregoi dëshmitari.

Ai tregoi se në kamion kishte parë gjak të terur dhe një kockë të vogël, që nuk e dinte nëse kishte qenë i njeriut apo i ndonjë kafshe dhe se kameramani i tij Jemsi nuk kishte mund ta filmojë sepse frikohej mos i binte kamera në ujë.

Dëshmitari John tha se ai dhe Jemsi kishin krijuar mendimin se vrasësit kanë dashur që kamionin me kufoma ta bartin në ujë, por edhe mendimin se ata vrasës nuk kishin bërë pastrimin si duhej dhe se kamioni me kufoma ishte bërë për fshehjen e gjurmëve të masakrës.

Për këto masakra, John mendon se duhej bërë një ekzaminim forenzik i kamionit.

Ai tha se provat e mbledhura në atë fshat, ia kishin dhënë Tribunalit për krime të luftës dhe se i njëjti kishte dhënë dëshmi edhe në Hagë ndaj 5 gjeneralëve serb.

Në filmin e dytë të tij, ai rrëfeu se kishte paraqitur xhirime e foto të shtëpive të djegura.

Në fund të dëshmisë së tij, dëshmitari më kryesoren përmendi listën e një grupi të paramilitarëve dhe se njëri prej tyre kishte qenë edhe Darko Tasiq.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Darko Tasiq, avokatit Lubomir Patoviq për dëshmitarin se a e ka lexuar aktakuzën.

Këtë pyetje e kundërshtoj prokurorja Drita Hajdari, por trupi gjykues e lejoi dhe dëshmitari u përgjigj se e kishte lexuar aktakuzën përmes një ushtari britanik.

Gjykimi i sotëm u shty për datat 30 dhe 31 mars.

John Sweeney kishte bërë dokumentarin “Serb genocide against Albanians” – “Gjenocidi serb kundër shqiptarëve”, i cili ishte shfaqur edhe në Gjykatën e Prizrenit, duke ngjallur emocione të pranishmëve në sallë.

Darko Tasiq, i cili deri në vitin 1999 bashkë me familjen e tij kishte jetuar në Krushë të Vogël, tash po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për vepra  krime të luftës kundër popullatës civile shqiptare.

Dëshmitë për krimet në Krushë të Vogël, përloten të pranishmit në Gjykatë

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Darko Tasiq ndërmjet datave 15 dhe 26 mars 1999, në lagjen “Hajdari” në Krushë të Vogël të Prizrenit, si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Jugosllavisë, në bashkëkryerje me bashkëkryes të tjerë ende të papërcaktuar mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim i paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegie të shtëpive) dhe vjedhje të pasurisë.

Sipas aktakuzës, e gjithë kjo nuk justifikohej me nevojat ushtarake, e që rezultoi me djegien e shtëpive, marrjen e automjeteve, makinerisë bujqësore dhe sendeve tjera me vlerë që i përkisnin Kasum Hajdarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes.

Me këto veprime sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se ka kryer veprën penale të plaçkitjes, shkatërrimit të qëllimshëm dhe sulmit të rëndë ndaj dinjitetit njerëzor.

 

Dëshmitë për krimet në Krushë të Vogël, përloten të pranishmit në Gjykatë