Zyrtari i LVV-së në Prishtinë kritikon kryetarin Përparim Rama: Kur s’ka rezultate, ka ankesa

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Ilir Kërçeli, e ka kritikuar kryetarin e kryeqytetit, Përparim Rama, i cili tha se ministri i Financave, Hekuran Murati, nuk po e jep nënshkrimin për projektin për unazën e jashtme, rrugë që do ta shkarkonte trafikun në qytet.

Kërçeli tha se kur s’ka rezultate, ka ankesa.

Përparim Rama në një deklarim në T7 tha se për projektin e unazës së kryeqytetit janë në pritje të një nënshkrimi të ministrit Hekuran Murati që 4 muaj.

“E kemi përfundu dizajnin e unazës së kryeqytetit, jemi në pritje të një nënshkrimi nga ministri i Financave që 4 muaj për të lejuar vazhdimin në pjesën tjetër. Për fat të keq na duhet nënshkrimi nga ministri, nuk po e jep për momentin. Duhet të pyesim ministrin”- është shprehur Rama.

Sipas tij, vlera rreth 350 milionë euro për projektin ministrit i duket shumë e madhe.

E Kërçeli, i cili është shef i stafit të Kuvendit, ka ndarë statistika për realizim të investimeve kapitale për vitin 2022 dhe 2023.

“Realizimi i investimeve kapitale për vitin 2022 ishte 28 % apo vetëm 18 milion euro nga totali prej 66 milion eurove, kurse për 6 mujorin e vitit 2023 realizimi i investimeve kapitale është 16 % apo vetëm 7 milion euro”- ka shkruar ai.

Kërçeli ka përmendur disa nga projektet që Rama kishte përmendur gjatë fushatës, e sipas tij, ende nuk kanë nisur.

Në këto projekte ai ka përmendur ndërtimet e nënkalimeve, lidhjen e lagjeve, ndërtimin e shkollave e Qendrave të Mjekësisë Familjare.

Përparim Rama disa herë ka deklaruar se Ministria e Financave po i bllokon projektet në Prishtinë me anë të ndaljes së fondeve.

Ai madje pati akuzuar edhe Ministrinë e Administrimit dhe Pushteti Lokal se shumë vendime të marra në asamble po i konsideron si të jashtëligjshme.