Ndërtesa e cila u kaplua nga zjarri dhe si pasojë vdiq një 50-vjeçar në Gjilan | Foto: KALLXO.com

Zjarr në një banesë në Gjilan, gjendet pa shenja jete një 50-vjeçar

Një 50-vjeçar është gjetur pa shenja jete në një banesë në afërsi të Tregut të Gjelbër në Gjilan e cila ishte përfshirë nga zjarri.

Zëdhënësi i Policisë në Gjilan, Ismet Hashani për KALLXO.com ka konfirmuar se sot rreth orës 9:00 në mëngjes, kanë pranuar një informacion se në një banesë po del tym.

Menjëherë ishin angazhuar njësitet policore dhe zjarrfikësit me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Të gjitha banorët e banesave përreth janë evakuuar për çështje sigurie fillimisht”- tha Hashani për KALLXO.com.

Nga hetimet e para ka rezultuar se brenda banesës është gjetur i vdekur një 50-vjeçar, trupi i të cilit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Në vendin e ngjarjes Hashani thotë se ka dalë edhe prokurori kujdestar dhe hetuesit rajonal.

“Hetuesit janë duke hetuar rrethanat e këtij rasti të rëndë”- tha Hashani.