Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, Foto: KALLXO.com

Zeqiri: Vetëm në janar janë afër 10 dorëheqje të policëve

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri ka thënë se vetëm në janar kanë ndodhur afër 10 dorëheqje të policëve.

Ai këtë përgjigje e dha në Komisionin për të Drejta të Njeriut ku po shqyrtohet peticioni me afër 6 mijë nënshkrime ku shprehen pakënaqësitë e policëve.

“Sa i përket dorëheqjeve, e kemi ngirtur këtë çështje disa herë. Kemi thënë gjithmonë që parandalimi i kësaj është mirëqenia në punë”- ka thënë Zeqiri.

“Kemi rreth 10 pjesëtarë, bëhet fjalë për muajin janar”- tha kryetari i sindikatës lidhur me dorëheqjet e pjesëtarëve të Policisë.

Tutje ai tha se e ka një dorëheqjë të një polici të cilën e ka dorëzuar para disa ditëve.

“Dorëheqje kam dhënë për shumë arsye. Disa nga ato janë paga, shtesat, rrëzikshmëria, sigurimi, udhëtimi 100 km për në vendin e punës, e shumë të tjera”- lexoi Zeqiri letrën dorëheqëse të policit në fjalë.

Ai tha se polici i dorëhequr është në moshë të re dhe sa i ka kryer disa prej tranjimeve të nevojshme në PK.

Ndyshe, Sindikata e Policisë së Kosovës më 19 korrik të vitit të kaluar patën njoftuar për dorëzimin e një peticioni në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Peticioni ishte organizuar nga ana e Sindikatës së Policisë, të cilët kanë thënë se 5 mijë e 623 nga gjithsej sa ishin asokohe 9 mijë e 8 zyrtarë të punësuar në Policinë e Kosovës kanë nënshkruar këtë peticion.

“Shumica e të punësuarve, si nga zyrtarët policorë ashtu edhe nga stafi civil, në Policinë e Kosovës janë të pakënaqur me kushtet e cekura në Peticion”- thuhej në njoftimin e Sindikatës.

Ky njoftim që tregon për punën që kryejnë policët, fliste edhe se si zyrtarët policorë me nënshkrimin e tyre kanë treguar se janë të pakënaqur me Ligjin e ri të Pagave, me shtesat për rrezikshmëri në punë, shtesat për punë të veçantë, klasifikimin e koeficienteve.

Zyrtarët policorë, sipas sindikatës po ashtu janë të pakënaqur me zbritjen e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para.

Nga peticioni u tha se po kërkohen tri paga përcjellëse për të pensionuarit si dhe shujta ditore, shpërblimi për fundvit në vlerë të një page, sigurimi shëndetësor dhe po ashtu sigurimi jetësor.

Peticioni gjithashtu ishte nënshkruar edhe për Ligjin për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve të PK-së.

Sindikata kishte thënë se deri më 19 korrik 2023 në kryerje të detyrës kanë humbur jetën 23 zyrtarë policorë, kanë vdekur 322 zyrtarë, 4 mijë e 753 raste janë të lëndimeve të zyrtareve policorë në kryerjen e detyrave zyrtare, 319 zyrtarë të sëmurë në detyrë dhe po ashtu aktualisht me sëmundje të veçanta shëndetësore janë 528 zyrtarë.

Në njoftim ishte thënë se deri atëhere kanë qenë 2 mijë e 285 pjesëtarë të policisë të cilët kanë dhënë dorëheqje vullnetare nga PK.

“Duke u bazuar në pakënaqësitë e të punësuarve në Polici, të shprehur edhe përmes nënshkrimit të peticionit, Sindikata kërkon nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës dhe nga Komisioni që të ngritin këtë çështje me qëllim të përkrahjes dhe përmirësimit të kushteve dhe mirëqenies të të punësuarve në Polici”- thuhej tutje.

Po ashtu ishte thënë se kërkohet nga të gjitha organet shtetërore të Kosovës që të aprovohen kërkesat të cilat u tha se janë jetike për përmirësimin e mirëqenies së të punësuarve në Polici.

“Sindikata është e gatshme të bashkëpunoj dhe bisedoj për të gjitha këto, me qëllimin më të mirë që këto kërkesa të realizohen në kohë optimale me mirëkuptim dhe në rrugë institucionale”- thuhej në këtë peticion që u dorëzua në Kuvend.

Sindikata gjithashtu kishte kërkuar që të ruhen dhe të mbrohen të dhënat personale të të nënshkruarve.

Njësitë elite speciale të Policisë kishin protestuar para Kryeministrisë në lidhje me kërkesat e tyre të kategorizimit të shtesave dhe rrezikshmërinë – LINK