Ilustrim

Jo vetëm donacione, Kosova vitin e kaluar ka shpenzuar mbi 18 milionë euro për pajisje ushtarake

Kosova nuk ka pranuar vetëm donacione për ushtrinë e saj, por edhe ka investuar në blerjen e pajisjeve ushtarake.

Vetëm gjatë vitit të kaluar janë shpenzuar 18 milionë e 173 mijë euro për pajisje të tilla.

Ndonëse në raportin vjetor financiar të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve [MFPT], nuk specifikohet se për çfarë pajisje ushtarake bëhet fjalë, ajo që vërehet është se shuma e parave të paguara për këtë qëllim është shumëfish më e lartë se e dy viteve më parë.

Në vitin 2022 u shpenzuan vetëm 68 mijë euro ndërsa në vitin 2021  u shpenzuan 1 milion e 968 mijë euro.

Shpenzimet e parasë së buxhetit të Kosovës për pajisje ushtarake_ Ministria e Financave, Punes dhe Transfereve

Në raport me shpenzimet e përgjithshme kapitale të realizuara për vitin 2023 në vlerën e 560 milionë e 868 mijë euro, investimet në pajisje ushtarake marrin pjesë me 3.24 për qind.

Përveç parave të shpenzuara në investime kapitale për pajisje ushtarake, në kuadër të furnizimit me mallra dhe shërbime në vitin 2023 shteti pagoi 5 milionë e 539 mijë euro për municion dhe armë, me një rritje të lehtë në krahasim me vitin 2022, ku u paguan 5 milionë e 42 mijë euro, ndërsa në vitin 2021 u paguan vetëm 1 milion e 210 mijë euro.

Më 11.04.2024 nëpërmjet një ceremonie në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, u bë pranim-dorëzimi i pesë kamionëve ushtarakë në vlerë prej 2.7 milionë euro, donacion nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se donacioni do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve të FSK-së.

“Është kënaqësi të pranoj këtë donacion kamion ushtarak me vlerë 2.7 milionë euro që do ndikojë në rritje të kapaciteteve tona. Këto donacione janë në vazhdën e donacioneve që pranuam vitin e kaluar. Mbështjetja e FSK-së është një nga fushat që Gjermania kontribuon për mbrojtjen e vendit tonë. Ky bashkëpunim do vazhdojë edhe më tutje me qëllim të kontribuimit të paqes e sigurisë në vend” – tha ai.

Ndërkaq, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se kamionët do të shërbejnë për logjistikën në regjimentet e FSK-së.

“Marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Kosovës janë të shkëlqyeshme, sidomos në fushën e mbrojtjes. Jam shumë i kënaqur të jem këtu për dhurim të këtyre kamionëve ushtarakë. Ky projekt ka nisur në nëntor 2022. Qëllimi është të mbështesim logjistikën e regjimenteve. Tani keni 15 kamionë të këtij tipi”- tha  ambasadori Rohde.

Më 19.01.2024, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë i ka dhuruar edhe Policisë së Kosovës vetura dhe pajisje të teknologjisë.

Ambasada gjermane i dhuron vetura e pajisje teknologjike Policisë së Kosovës