Foto: Presidenca e Kosovës
Xhaferi siguron Osmanin se Kosova e ka mbështetjen e plotë të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në KiE
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka pritur në takim kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
Maqedonia e Veriut, sipas presidentes Osmani është shtet fqinj dhe njëkohësisht mbështetëse e Kosovës.
“Presidentja Osmani tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut mund t`i shkëmbejnë përvojat në procesin e integrimit evropian dhe në të njëjtën kohë shfaqu bindjen se ky shtet do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën evropiane”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
Në këtë kontekst, presidentja Osmani tha se Kosova llogaritë në përkrahjen e mëtejme të Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sikurse edhe në NATO, BE dhe organizata ndërkombëtare.
Në prag të votimit në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, kryeministri Xhaferi, ka njoftuar presidenten Osmani se mbështetja e Maqedonisë së Veriut është e plotë.
Në këtë takim, ndër të tjera u diskutua edhe për finalizimin e pikave të përbashkëta kufitare përpara fillimit të sezonës verore, sikurse edhe lehtësimin e të bërit biznes.
Ky takim u zhvillua pas ceremonisë hapëse të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili po mbahet nën organizimin e presidentes Vjosa Osmani.
E para e Kosovës gjatë fjalimit e ka vlerësuar lartë përmbajtjen dhe qëllimin e këtij Forumi.
Para këtij vlerësimi, ajo ka kujtuar Forumin për Gratë, i cili është mbajtur në vitin 2022.