Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vitia për vdekjen e 35-vjeçares në Malishevë: Ndaj përgjegjësve do të ketë masa

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka reaguar lidhur me rastin ku një qytetare dyshohet se ka vdekur pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në një klinikë në Malishevë.

Vitia ka thënë se këtë ky rast tragjik shënon një moment vendimtar për ndalimin e pandëshkueshmërisë në praktikat e licencimit.

Ai ka paralajmëruar masa ndaj personave përgjegjës.

“Kam kërkuar me gjithë fuqinë që më jep ligji që të kontrollohet çdo hap e veprim i komisionit vlerësues që i paraprinë licencimit. Dhe çdo procedurë. Ndaj përgjegjësve, do të ketë masa. Në rast të evidentimit të shkeljeve penale ato do të procedohen menjëherë në organet e drejtësisë”- ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, ky rast nuk do të kalojë as në heshtje dhe as nuk do të tretet në harresë.

Një grua dyshohet se të martën kishte marrë shërbime stomatologjike në klinikën “Doktorat” në Malishevë e më pastaj është dërguar në QKUK, ku edhe ka vdekur.

Inspektorati Shëndetësor të martën ka vendosur shenjën për ndërprerje të përkohshme të veprimtarisë në IPSH “Doktorat” në Malishevë, ku një qytetare kishte vdekur pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në këtë klinikë stomatologjike.

Vdekja e pacientes, Inspektorati Shëndetësor e mbyll përkohësisht ordinancën stomatologjike