Ilustrim
Vdekja e pacientes, Inspektorati Shëndetësor e mbyll përkohësisht ordinancën stomatologjike
Inspektorati Shëndetësor të martën ka vendosur shenjën për ndërprerje të përkohshme të veprimtarisë në IPSH “Doktorat” në Malishevë, ku një qytetare kishte vdekur pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në këtë klinikë stomatologjike.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Ministria e Shëndetësisë, ku gjatë ditës ka lëshuar edhe komunikatë për media lidhur me këtë çështje.
“Një ngjarje e tillë, në rrethana kur një qytetare humb jetën pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në Institucionin Privat Shëndetësor “Doktorat” të cilët kanë ushtruar veprimtari ilegale, është e patolerueshme dhe do të angazhohemi që të ofrojmë të gjitha provat për dënime maksimale ndaj kryersve të kësaj vepre të rëndë”, thuhet në njoftimin e këtij dikasteri.
Më tej, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se janë shqyrtuar edhe raportet e komisionit të licencimit lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni privat.
“Të gjitha këto të dhëna janë në dispozicion të Policisë së Kosovës dhe Odës së Stomatologëve të Kosovës si organe kompetente në funksion të zbardhjes së plotë të rastit, me qëllim që autorët e kësaj vepre të rëndë të marrin dënimin e merituar”, thuhet në komunikatën e ministrisë së Shëndetësisë
Ndryshe, viktima të martën kishte marr shërbime stomatologjike në këtë klinikë më pastaj është dërguar në QKUK, ku edhe ka vdekur.