Foto: ZKM

Kurti dhe Vitia premtojnë mbështetje për inspektorët e rinj shëndetësorë

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, janë takuar më 15.04.2024 me inspektorët e rinj shëndetësorë e farmaceutikë.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti gjatë takimit ka thënë se është në finalizim e sipër Ligji për Inspektoratin Qendror, që sipas tij, rregullon edhe më mirë ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive për inspektorët shëndetësorë.

“Kësisoj, kapacitetet inspektuese pritet të jenë shumë të larta nga institucioni që vërejtjet e pakënaqësitë e disa qytetarëve mund t’i kthej në shërbim të përmirësuar për të gjithë qytetarët” – ka thënë Kurti.

Kurse ministri Arben Vitia ka shprehur falenderime për punën e inspektorëve, duke iu referuar atyre si “diga e fundit e cilësisë në shërbimet shëndetësore”.

“Ai premtoi se të gjitha kushtet logjistike, të gjitha ato që kanë nevojë si mjete të domosdoshme për punë, hapësirat ku do të punojnë si Ministri e Shëndetësisë së bashku më Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, do t’ua plotësojnë të gjitha nevojat për gjithë këtë punë të jashtëzakonshme e cila pritet të realizohet nga ata” – thuhet në njoftim.

Me përzgjedhjen e inspektorëve të rinj shëndetësorë, sipas kryeministrit Kurti, nga 11 inspektorë shëndetësorë sa kanë qenë, janë bërë 35, ndërsa nga 12 inspektorë farmaceutikë janë shtuar edhe 8, duke arritur në 20 të tillë.