Vendet e QUINT-it dhe Zyra e BE-së mirëpresin vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve në veri

Shtetet e QUINT-it dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kanë mirëpritur vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore, duke e quajtur atë “vendim konstruktiv”.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka deklaruar se ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e BE-së mirëpresin vendimin e institucioneve të Kosovës dhe liderëve të partive politike për shtyrjen e zgjedhjeve komunale dhe për kryetarë komunash në katër komunat veriore në këtë kohë.

“Ky vendim konstruktiv avancon përpjekjet për të promovuar një situatë më të sigurt në veri, e cila është kyçe për dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si e vetmja rrugë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.” – thuhet tutje në deklaratë.

Presidentja Vjosa Osmani ka caktuar 23 prillin e vitit 2023 datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Vendimi është marrë pas konsultimeve që ajo ka zhvilluar me partitë politike.

Presidentja Osmani ka bërë të ditur se ka pasur konsensus të plotë mes partive politike për shtyrjen e zgjedhjeve në veri të vendit dhe se është marrë parasysh edhe vlerësimi i institucioneve kompetente rreth situatës së sigurisë në veri të vendit.

Vendimi i presidentes udhëzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve në datën e re.