Vjosa Osmani, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti

Osmani, Kurti e Konjufca u takuan me ambasadorët e QUINT-it

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, janë takuar sot, më 12.04.2024, me ambasadorët e vendeve të QUINT-it (SHBA, Francë, Britani e Madhe, Gjermani dhe Itali).

Takimi, siç mëson KALLXO.com, është mbajtur në Presidencë.

KALLXO.com nuk ka mundur të marrë një përgjigje zyrtare lidhur me këtë takim apo çfarë është diskutuar aty.

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it patën kërkuar që Kosova të pezullojë zbatimin e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh se monedha e vetme në Kosovë për pagesa është euro.

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe përfaqësuesi special i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka quajtur “katastrofal” vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i cili ka filluar të zbatohet nga 01.02.2024.

Escobar në një konferencë online me gazetarë tha se është duke dëgjuar shumë raportime për vështirësitë e qytetarëve si pasojë e kësaj Rregulloreje.

Ai po ashtu ka thënë se kanë probleme me komunikim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Problem ky, që sipas Escobarit e kanë edhe partnerë të tjerë si Bashkimi Europian, NATO, Britania e Madhe, Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

Më 01.02.2024, në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo Rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, të cilët bëjnë pagesa e pranojnë pensione e ndihma të tjera nga Serbia në dinarë.