Ilustrim

Zanafilla e kontestit për 24 hektarët përreth Manastirit të Deçanit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur më 13.03.2024 se Qeveria e tij i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pronën rreth Manastirit të Deçanit.

Çështja e kthimit të 24 hektarëve përreth Manastirit të Deçanit është aktuale tash e disa vjet, duke nxitur herë pas here mosmarrëveshje mes udhëheqësve të shtetit dhe të manastirit, marrë parasysh se autoritetet lokale në Deçan refuzojnë të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht thirrjeve të shumë diplomatëve amerikanë dhe europianë.

Zanafilla e kontestit

24 hektarët rreth Manastirit të Deçanit janë të mbrojtura me Ligjin për zona veçanta të mbrojtura nga viti 2008.

Në këtë tokë ndodhen objekte që u përkisnin ndërmarrjeve shoqërore ‘Apiko’ dhe ‘Iliria’. Me përfundimin e luftës, në vitin 2000, dy ndërmarrjet iu drejtuan gjykatës. Ato kërkuan anulimin e marrëveshjes për tokën 24 hektarëshe.

Kontesti gjyqësor rreth çështjes se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyll – ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit – ka zgjatur 16 vjet.

Më 16.05.2016 Kushtetuesja i dha epilog çështjes pasi vendosi në favor të Manastirit, por tetë vite nga marrja e vendimit nga Kushtetuesja Komuna e Deçanit nuk e ekzekutoi vendimin e saj.

Gjykata Kushtetuese, asokohe, hodhi poshtë vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore në Deçan dhe konstatoi se vendimi i mëparshëm i Gjykatës Supreme i vitit 2012, i cili vërtetonte pronësinë e Manastirit mbi tokën e kontestuar, është “res judicata”, apo gjykim i formës së prerë.

Në fund të shtatorit të vitit 2021, Gjykata Kushtetuese e Kosovës deklaroi se vendimi i saj nuk ishte zbatuar dhe i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit të Kosovës që të ndërmarrë veprime të mëtejme, në përputhje me kompetencat e saj ligjore.

Banorët e Deçanit dhe zyrtarët komunalë patën zhvilluar disa protesta në vitin 2013, duke thënë se manastiri është objekt kulti i shqiptarëve e jo i serbëve.

Komuna e Deçanit kundër

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe e obligon Komunën e Deçanit që 24 hektarë tokë t’i barten Manastirit. Por, drejtuesit e Komunës së Deçanit tash e tetë vite refuzojnë ta zbatojnë atë.

Tri vite pasi ishte marrë vendimi nga Kushtetuesja, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, kishte thënë se nuk do ta zbatojë këtë vendim edhe nëse kjo do t’i kushtojë me postin e kryetarit.

Ramosaj kishte theksuar se vendimi i Kushtetueses është një goditje për zhvillimin ekonomik të komunës së Deçanit, dhe se ai vendim, sipas tij, po e vret shpresën e qytetarëve të kësaj komune, duke i penguar të shfrytëzojnë resurset dhe potencialet që ka Deçani.

Në vazhdimësi ai ka kundërshtuar zbatimin e këtij vendimi.

Edhe Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Deçanit që mos e zbatojnë këtë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese.

Më 13.03.2024, Bashkim Ramosaj ka reaguar pas vendimit të ekzekutivit kosovar që t’i jepen pronat Manastirit të Deçanit, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ramosaj ka thënë më 13.03.2024 se Komuna e Deçanit është goditur “përsëri padrejtësisht” por sipas tij, kësaj radhe nga një urdhër ekzekutiv i kryeministrit Albin Kurti.

“Deçani së pari është goditur padrejtësisht në vitin 2008, kur u krijua ‘Zona e Veçantë e Mbrojtur’, e cila bëri ndalimin e plotë dhe kufizimin e pajustifikueshëm në: ndërtimin e rrugës; ndërtimin e shtratit të Lumbardhit; në ndalimin e shfrytëzimit të ‘Pushimores së Fëmijëve’; e ndaloj plotësisht zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin në prona private brenda kësaj zone.”

Ramosaj thotë se që tri vite e ka pritur kryeministrin që ta takojë për këtë çështje.

Qëndrimi i kryeministrit Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 13.03.2024 njoftoi se kërkesa drejtuar Agjencisë Kadastrale është bërë pasi që zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës.

Kurti tha se vendimi i Kushtetueses është i çuditshëm dhe i padrejtë. Ai tha se nuk do e ndryshojë qëndrimin ndaj këtij vendimit, që sipas tij është i dëmshëm.

“Si kryeministër, nuk na pëlqen ai vendim i çuditshëm e i padrejtë. Nuk do e ndryshoj qëndrimin ndaj këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë, në anën tjetër nuk ka dyshim që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe një hap gjigant për Republikën tonë drejt njohjes nga pesëshja europiane që mundëson anëtarësimin në NATO dhe BE për Kosovën e pavarur”- tha kreu i Qeverisë.

Sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kurti më 01.06.2022 ka thënë se pushtetet janë të ndara.

“Nuk është që ne e bëjmë ndonjë pazar ma jep këtë ta jap atë, ne e mbajmë qëllimin tonë për t’u anëtarësuar. Ne e mbrojmë vetëm qëndrimin tonë parimor. Sa i përket aktgjykimit të gjykatës, pushtetet janë ndarë, pse kaq shumë kërkesë qe të ndërlidhet. Vazhdimisht na është kërkuar që të mos përzihemi në shtyllat tjera, mirëpo në këtë rast na kërkohet që të jemi aty pranë. Ne jemi një organ tjetër jo vetëm për nga shkalla por edhe nga natyra. Qeveria e Republikës së Kosovës i mbahet drejtësisë, nuk angazhohemi në logjikë pazaresh me askënd, kaq është thelbi i kësaj gjëje” – kishte theksuar Kurti.

Kurti atë kohë ka deklaruar se ka kërkuar nga priftërinjtë që të nisin një dialog, por thotë se ata nuk po e pranojnë këtë gjë.

“I kanë pritur në takim te gjithë kryeministrat para meje, por vetëm mua nuk kanë pranuar” – kishte deklaruar Kurti.

Qëndrimi i presidentes

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka folur për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit më 20.04.2022 në një një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ajo ka thënë se Kosova nuk ka asgjë kundër kishës ortodokse serbe.

“Askush nuk ka asgjë kundër sa i përket kishës ortodokse serbe, përkundrazi e gjithë trashëgimia kulturore e religjioze në Republikën e Kosovës është trashëgimi e Kosovës, është trashëgimi që ne e mbrojmë me çdo kusht”- kishte thënë ajo.

Osmani kishte theksuar që ka shumë vendime të Gjykatës Kushtetuese që nuk janë zbatuar, duke përmendur edhe vendimin për marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë edhe shumë vendime të tjera të cilat nuk janë zbatuar akoma, që janë në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës, në interes të kushtetutshmërisë e ligjshmërisë e multietnicitetit e për të cilat akoma jemi duke pritur që partnerët tanë ndërkombëtare ta ngrisin zërin” – kishte theksuar presidentja.

“Nuk mundemi me kërku këtu zgjidh e merr, nuk mundemi me kërku zbatimin e vendimit për manastirin, e jo vendimit i cili e ka rrëzu përtokë Asociacionin e komunave serbe” – kishte shtuar ajo.

Thirrjet e ndërkombëtarëve

Ndërkombëtarët vazhdimisht kanë kërkuar nga Kosova që të zbatohet vendimi i Kushtetueses.

Në janar të vitit 2021, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, kishte bërë thirrje të respektohet vendimi për pronën e Manastirit të Deçanit duke thënë se  mosbindja ndaj sundimit të ligjit nga disa qeveri të ndryshme të Kosovës, vë në pikëpyetje angazhimin e Kosovës për drejtësi të barabartë.

Më 19.05.2021, në një komunikatë të përbashkët për media, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë (vendet e QUINT-it) kërkonin nga Qeveria e re e Kosovës që të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, sipas të cilit, 24 hektarë tokë i përkasin Manastirit të Deçanit.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog, më 25.11.2021 ka njoftuar se e ka vizituar Manastirin e Deçanit dhe nga aty i ka bërë thirrje Qeverisë që ta zbatojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kontesti për ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë

Manastiri i Deçanit ka një kontest me autoritetet lokale në Deçan lidhur me ndërtimin e rrugës kryesore Deçan – Plavë.

Ndërtimi i rrugës në fjalë është bllokuar nga kundërshtimet e Kishës Ortodokse Serbe, e cila thotë se rruga kalon shumë afër manastirit 14- shekullor të mbrojtur nga UNESCO dhe bie ndesh me Ligjin e Kosovës mbi zonat e mbrojtura të veçanta.

Mbështetësit kryesorë perëndimorë të Kosovës u kanë kërkuar autoriteteve në Prishtinë që ta respektojnë Ligjin për zonat e veçanta të mbrojtura, i cili e ndalon ndërtimin e rrugëve të tilla për shkak të ndikimit të mundshëm.

Më 12.11.2020 kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, kishte njoftuar se është arritur një marrëveshje për ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë.

Për këtë marrëveshje, siç kishte thënë Ramosaj, ishin angazhuar edhe ambasadorë të shteteve të QUINT-it, përfaqësues te KFOR-it dhe nga Zyra e BE-së në Kosovë.