Bombardimet e NATO-s në Beograd. Foto: Wikipedia.

QUINT-i në Serbi: Ndërhyrja ushtarake e NATO-s ishte për të ndaluar një katastrofë humanitare

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Serbi kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për bombardimet e NATO-s ndaj ushtrisë serbe, 25 vjet më parë, më 24.03.1999.

Këtë ndërhyrje ushtarake, ata e kanë quajtur të detyrueshme për të parandaluar një katastrofë humanitare dhe kanë shprehur keqardhje për jetët e humbura në Kosovë e Serbi.

Sipas tyre, ndërhyrjen ushtarake nuk e donte askush, por ishte projektuar për të detyruar Slobodan Millosheviqin, atëherë President i Republikës Federale të Jugosllavisë për të ndaluar abuzimin e popullatës civile në Kosovë, për të parandaluar një katastrofë humanitare dhe të lejojë kthimin e refugjatëve dhe personave të zhvendosur dhe qasjen e organizatave humanitare në Kosovë.

“Ky operacion ushtarak është nisur pasi janë shterur të gjitha mjetet politike dhe diplomatike për të bindur Sllobodan Millosheviqin që të pajtohet për një zgjidhje të negociuar dhe për paqen në Kosovë, në bazë të Marrëveshjes së Rambujes dhe me përmbushjen e kërkesave të Rezolutës 1199 të Këshillit të Sigurimit.” – thuhet më tej.

Ambasadorët kanë thënë se operacioni i Forcave Aleate nuk ishte i drejtuar kundër popullit të Serbisë.

“Sot kujtojmë dhe vajtojmë jetët e humbura të jetëve të pafajshme, por edhe mendojmë për të ardhmen tonë të përbashkët me Serbinë dhe Kosovën në familjen e popujve evropianë” – thonë ambasadorët e QUINT-it.

Ambasadorët e Francës, Italisë, Gjermanisë, Norvegjisë, ShBA-së dhe Britanisë së Madhe mbështesin gjetjen e një zgjidhjeje në mosmarrëveshjen mes dy shteteve, të cilën e kanë quajtur çështje urgjente të sigurisë europiane dhe thonë se janë të bindur që se zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit të arritur nën kujdesin dhe ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është rruga më e mirë përpara drejt paqen dhe stabilitetin në dobi të njerëzve që jetojnë në Serbi dhe Kosovë.

Sipas kësaj deklarate, ushtria serbe po bashkëpunon gjithnjë e më shumë me aleancën e NATO-s dhe partnerët evropianë duke marrë pjesë në misionet e Përbashkëta të Sigurisë dhe Politikës së Mbrojtjes.

Më 24 mars 2024 bëhen 25 vjet që kur filluan bombardimet e para të forcave ajrore të Aleancës Veri-atlantike, NATO, kundër forcave serbe në Kosovë.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Për 78 ditë sa zgjatën bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe, shqiptarët kanë qenë të vendosur në zona të ndryshme të Kosovës.

Këto bombardime janë ndërprerë më 10 qershor 1999 me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Më ndërhyrjen e NATO-s u mundësua edhe kthimi i qytetarëve të cilët janë dëbuar nga forcat serbe për t’u kthyer në shtëpitë e tyre në Kosovë.