Udhëheqës të Listës Serbe marrin pjesë në shfaqjen e ushtrisë së Serbisë në Batajnicë
Në një shfaqje të ushtrisë serbe në aeroportin e Batajnicës morën pjesë liderë politikë të serbëve nga Kosova, të cilët ishin në shoqërinë e drejtorit të ashtuquajturës ‘Zyrës për Kosovë…’, Petar Petkoviq.
Në podium të pranishëm ishin Milan Radoiçiq, Goran Rakiq, Igor Simiq, Dalibor Jevtiq dhe liderë të tjerë të Listës Serbe, derisa po bëhej demonstrimi i aftësive të pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe armëve të reja, raporton Kosovo-online.
Tutje, raportohet se ata vizituan edhe dronët e rinj luftarakë, sisteme të ndryshme raketore që disponon Ushtria Serbe, si sistemi rus i mbrojtjes ajrore Pancir dhe ai kinez FK-3.
Forcat e Armatosura të Serbisë prezantuan sot në aeroportin e Batajnicës pajisjet dhe aftësitë e reja të pjesëtarëve të saj, ndërsa në ekspozitën “Granit 2023” mori pjesë kryesia shtetërore e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq.
Në Batajnicë, në afërsi të Beogradit, në vitin 2001 janë zbuluar 744 trupa të civilëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë, të cilët ishin bartur në atë varrezë masive.
Më shumë se 1,640 njerëz nga Kosova, shumica shqiptarë, ende konsiderohen si të pagjetur që nga përfundimi i luftës më 1999.
Pjesëmarrja e politikave të partisë Lista Serbe në një shaqje të tillë ushtarake në Serbi vjen një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme komunale për katër komunat me shumicë serbe; Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Vuçiq thotë se nderon çdo viktimë, por nuk përmend shqiptarët e varrosur në Batajnicë