Policia e Kosovës

U kap duke vozitur edhe pse i ishte ndaluar, i konfiskohet vetura, gjobitet, pikë negative e i vazhdohet ndalimi i vozitjes

Policia e Kosovës ka njoftuar se është identifikuar shoferi i cili nuk e ka respektuar masën mbrojtëse “ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik”, pra ka qenë duke vozitur veturën edhe pse atij i ishte ndaluar.

I njëjti është gjobitur me 500 euro, 5 pikë negative dhe i është vazhduar masa mbrojtëse “ndalimi i drejtimit të mjetit me veprim motorik” edhe për gjashtë muaj.

Përveç kësaj, policia ka njoftuar se të njëjtit i është konfiskuar edhe automjeti.

Nga 3 prilli 2024 ka hyrë në fuqi Ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, me anë të të cilit janë ashpërsuar gjobat për shkelësit e rregullave në komunikacion.

Ky ligj është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 22.02.2024 dhe është dekretuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 11.03.2024, duke e shfuqizuar Ligjin e vjetër për rregullat e trafikut rrugor, i cili ka qenë në zbatim që nga gushti i vitit 2016.