Hyn në fuqi Ligji i ri për rregullat e trafikut rrugor, prej sot dënimet në komunikacion janë më të ashpra

Nga 3 prilli 2024 ka hyrë në fuqi Ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, me anë të të cilit janë ashpërsuar gjobat për shkelësit e rregullave në komunikacion.

Ky ligj është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 22.02.2024 dhe është dekretuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 11.03.2024, duke e shfuqizuar Ligjin e vjetër për rregullat e trafikut rrugor, i cili ka qenë në zbatim që nga gushti i vitit 2016.

Mosvënia e rripit të sigurisë, mbajtja në prehër e personit tjetër gjatë vozitjes, tejkalimi në vijë të plotë, përdorimi i celularit gjatë vozitjes dhe garat me vetura janë vetëm disa prej veprimeve të vozitësve që nga sot do të dënohen shumë më ashpër sesa me ligjin e vjetër.

Sipas Ligjit të ri, i cili është publikuar në Gazetën Zyrtare më 19.03.2024 dënimi me gjobë për personat që nuk vënë rripin e sigurisë do të jetë 150 euro. Mosvënia e rripit të sigurisë me Ligjin e kaluar dënohej me 40 euro gjobë.

Gjatë vozitjes nuk lejohet përdorimi i telefonit. Këtë e ka paraparë Ligji për rregullat e trafikut rrugor. Nëse një person përdor telefonin gjatë vozitjes i njëjti do të dënohet me 100 euro gjobë dhe do t’i shqiptohet një pikë negative.

Nëse veprimi i njëjt i përdorimit të telefonit përsëritet për herë të dytë, ngasësi i veturës do të dënohet me 200 euro gjobë dhe me shqiptimin e dy pikëve negative dhe do t’i ndalohet ngasja për tre muaj.

Ndërsa nëse për më shumë se dy herë vozitësi ka përdorur telefonin do të dënohet me gjobë në shumën 500 euro, do t’i shqiptohen tri pikë negative dhe do t’i ndalohet ngasja e veturës në kohëzgjatje prej 6 muajsh.

Ligji i vjetër, parashihte 40 euro dënim me gjobë për këtë shkelje.

Ligjvënësi ka paraparë që të ashpërsojë dënimin edhe ndaj këmbësorëve që në vendkalimin për këmbësorë përdorin telefonin apo dëgjuese me të cilat do të mund të humbnin koncentrimin.

Ligji i ri ka paraparë dënimin deri në 50 euro gjobë kurse Ligji i vjetër këtë veprim të këmbësorit e kishte konsideruar si kundërvajtje, e cila dënohej me 40 euro gjobë.

Tutje, Ligji i ri parasheh dënime me të ashpra për vozitësit të cilët nuk e respektojnë shpejtësinë e rekomanduar.

Kështu nëse një vozitës jashtë zonës së banimit- pra në autostradë magjistrale, vozitë me mbi 100km/h më shumë se shpejtësia e lejuar, ai do të dënohet me 500 euro gjobë, shqiptimin e 5 pikëve negative dhe 6 muaj do t’i ndalohet vozitja e automjetit.

Ndërsa Ligji i vjetër, për tejkalimin e shpejtësisë jashtë zonës urbane kishte paraparë dënimin prej 200-600 euro gjobë, nëse tejkalimi i shpejtësisë ka qenë 50 km/h më shumë se shpejtësia e lejuar. Krahas gjobës, nëse është tejkaluar shpejtësia ishte paraparë shqiptimi i 3 pikëve negative dhe 3 muaj do t’i ndalohej vozitja e automjetit.

Dënime më të ashpra janë paraparë edhe për vozitësit që bëjnë gara jashtë vendbanimeve apo brenda vendbanimeve.

Kushdo që bën gara jashtë vendbanimit do të dënohet me 400 euro gjobë, shqiptimin e katër pikëve negative dhe 10 muaj do t’i ndalohet vozitja e automjetit. Kurse nëse garat bëhen brenda vendit ku ka banim, dënimi do të jetë më i ashpër, prej 500 eurove dënim me gjobë, shqiptimin e pesë pikëve negative dhe 12 muaj do t’i ndalohet personit që të vozitë automjetin.

Ligji i vjetër nuk kishte bërë diferencimin për garat që zhvillohen brenda apo jashtë vendbanimit. Si dënim për këdo që bën gara, më Ligjin e vjetër ishte paraparë dënimi me gjobë prej 100-300 euro.

Tutje, Ligji i ri ia ndalon vozitësit të automjetit të mbajë në prehër dikë tjetër, duke përfshirë këtu edhe fëmijët, gjë të cilën nuk e kishte specifikuar Ligji i vjetër.

Ligji i ri ka paraparë dënimin me gjobë prej 400 euro, shqiptimin e 5 pikëve negative dhe ndalim të vozitjes së automjetit për 6 muaj nëse mban në prehër dikë tjetër.

Kushdo që ka pasur të vendosur folie apo ndonjë material tjetër me të cilin do t’i ndihmonte në errësimin e xhamave të veturës me Ligjin e vjetër ishte dënuar me 60 euro dënim me gjobë. Ligji i ri nuk ka specifikuar asnjë nen apo paragraf me të cilën do ta rregullonte këtë veprim të shoferit.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për të kërkuar sqarim lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

Ky ligj ka paraparë rreth tri dispozita ligjore që specifikojnë mënyrën se si do të veprohet në trafik me trotinet elektrik.

Nga sot, drejtuesit e trotinetit elektrik duhet të lëvizin në shiritin e biçikletave ose në shtegun e përbashkët për biçikleta dhe për këmbësorë.

Shpejtësia me të cilën lejohet të operojë një trotinet elektrik është  25 km/h e kushdo që nuk e respekton këtë kufizim do të ndëshkohet me 150 euro gjobë dhe do t’i konfiskohet trotineti për 3 muaj.

Kushdo që e nget në zonën për të cilën nuk është përcaktuar lëvizja e tij, do të dënohet me 150 euro gjobë dhe 3 muaj do t’i konfiskohet trotineti elektrik.

Fëmijëve nën moshën 16-vjeçare nuk u lejohet që të vozisin trotinetin në rrugët publike. Nëse një gjë e tillë ndodh prindi ose kujdestari i fëmijës do të dënohet me gjobë në shumë prej 100 euro. Kurse qiradhënësi do të dënohet me 500 euro dënim me gjobë.

Sipas Ligjit të ri, në trotinet nuk lejohen dy apo më shumë persona, sepse në të kundërtën do të dënohen me gjobë prej 100 euro dhe do të konfiskohet mjeti për 3 muaj.

Ligji ka paraparë se nëse vozitësi i trotinetit elektrik manovron me një rrotë, vozit më dëgjuese, dhe vozit pa dy duart do të dënohet me gjobë në shumë 40 euro.