Trembëdhjetë të akuzuarit për kontrabanim të 80 mijë kilogramëve duhan, thonë se janë të pafajshëm

Trembëdhjetë të akuzuarit të përfshirë në kontrabandimin e 80 mijë kilogramëve duhan, janë deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur sot në gjykatën e Prizrenit.

Në këtë rast, të akuzuarit ngarkohen se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 3 milionë euro.

Në rastin e kontrabandës me duhan, të akuzuar janë nëntë zyrtarë doganorë të cilët ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti. Pos tyre, janë edhe katër të pandehur të tjerë të cilët akuzohen për veprat penale kontrabandim i mallrave, shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore dhe tregti të ndaluar.

Gjatë përballjes me aktakuzën e prokurorisë të cilën e përfaqëson Ervehe Gashi, zyrtarët doganorë Ilir Bobi, Dritëro Zeka, Dritan Hasimja, Miljan Vidosavljeviç, Hekuran Dana, Jeton Berisha, Besart Malaj, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlija nuk e pranuan fajësinë për veprën në fjalë.

Edhe Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha para gjykatës mohuan akuzat që i ngarkohen.

“Nuk e pranojë fajësinë”, u deklaruan të gjithë të pandehurit.

Në shqyrtim, avokati Teki Bokshi theksoi se nga ana e prokurorisë në shkresat e lëndës nuk ishte bashkangjitur aktvendimi për zgjatjen e hetimeve nga gjyqtari i procedurës paraprake të gjykatës së Ferizajt.

Kurse, mbrojtësit Korab Bokshi, Shpresë Bakija dhe Shyqri Syla deklaruan se ndaj të pandehurve Driton Kurshumlija, Dritan Hasimja dhe Milajn Vidosavlejoviq ishte bërë cilësimi më i rëndë i veprave penale sesa parashihet me ligj duke theksuar se këto vërejtje do t’i paraqesin në kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe provave të saj.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet me 28 janar 2022.

Hetimet për kontrabandim me cigare kanë filluar që nga viti 2018 dhe si të dyshimtë kanë qenë të përfshirë 47 persona, prej të cilëve 9 zyrtarë të Doganës.

Prokuroria e Prizrenit me 17 maj 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë zyrtarëve doganorë nën pretendimin se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

Ilir Bobi, Dritëro Zeka, Dritan Hasimja, Miljan Vidosavljeviç, Hekuran Dana, Jeton Berisha, Besart Malaj, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlija se nga viti 2018 – 2019 në pikë kalimin kufitar në Vërmicë – Komuna e Prizrenit në bashkëkryerje, si zyrtar doganor 64 herë ua sigurojnë të pandehurve Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha kalim të automjeteve të ngarkuar me duhan të grirë-refuz – në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, filtër për cigare “Grande” – 1 milion e treqind mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro’’ dhe ”West’’ të gjitha nga Shqipëria në Kosovë.

Sipas Prokurorisë, me anë të këtyre veprimeve të pandehurit e lartcekur ngarkohen se i kanë shkaktuar rreth 3 milionë euro dëm material buxhetit të Kosovës në vlerën e taksës së akcizës, taksës së Doganës dhe TVSH-së së papaguar.

Organ i akuzës po ashtu thotë se Driton Kurshumlija dhe Driton Hasimja gjatë muajit shkurt – mars 2019, në cilësi të personave zyrtarë, në pikën kufitare në Vërmicë-Prizren, kërkojnë përfitime për vete për të vepruar në pajtim me detyrat e tyre.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Kurshumlija me datë 7 shkurt 2019 kërkon nga i dëmtuari Sefedin Jasiqi shumën prej 100 eurove për kryerjen e zhdoganimit të mallit duke i thënë se zhdoganimi më lirë është nëse i dëmtuari i paguan 100 euro. Kurse me 31 mars 2019, nga i dëmtuari Mentor Rexhepi kërkon shumën prej 70 euro për kryerjen e zhdoganimit të mallit duke i thënë se aq kishte kushtuar zhdoganimi.

Ndërsa i akuzuari Hasimja me 3 shkurt 2019, kërkon para nga i dëmtuari Sali Kalludra për kryerjen e zhdoganimit, duke ditur se mallrat që importon KFOR-i, janë të liruara nga dogana. Ndërsa me 8 shkurt 2019, i pandehuri merr shumën prej 100 euro nga i dëmtuari Selim Morina për të zhdoganuar vetëm një pjesë të mallit.

Me këto veprime sipas prokurorisë të akuzuarit Driton Kurshumlija dhe Driton Hasimja kanë kryer veprën penale marrje e ryshfetit.

Kurse, Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha po akuzohen se nga viti 2018-2019, në pikë-kalimin kufitar Vërmicë Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje nga Shqipëria për në Kosovë pa leje përkatëse shmangin kontrollin doganor dhe kalojnë vijën kufitare duke bartur mallrat e lartcekura pa leje të posaçme nga organi kompetent.

Me anë të këtyre veprimeve katër të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprat penale kontrabandimi i mallrave, shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore dhe tregtia e ndaluar duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej rreth 3 milion euro.

Dogana kap 80 mijë kilogramë duhan të kontrabanduar, suspendohen 9 zyrtarë doganorë

 

Dogana, Kontrabandim me duhan, Ajser Skenderi, Valdet Syla, Ilir Bobi, Dritëro Zeka, Dritan Hasimja, Miljan Vidosavljeviç, Prizren, Gjykata