Dogana kap 80 mijë kilogramë duhan të kontrabanduar, suspendohen 9 zyrtarë doganorë

Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, në një konferencë për media ka bërë të ditur se kanë kapur 80 mijë kilogramë duhan të kontrabanduar, me ç’rast ka suspenduar 9 zyrtarë doganorë.

Llugaliu ka bërë të ditur se hetimet kanë filluar që nga viti 2018 dhe në hetime si të dyshimtë kanë qenë të përfshirë 47 persona, prej të cilëve 9 zyrtarë të Doganës.

“Ky hetim ka përfshirë 47 persona të dyshimtë, 16 veç në proces të hetimit e kanë pranuar fajësinë, 2 nga ta janë të shtetësisë së Shqipërisë dhe bazuar në provat e mbledhura është konstatuar që 9 zyrtarë doganorë kanë qenë të përfshirë në keqpërdorim të detyrë zyrtare dhe kontrabandës së duhanit”, tha ai.

Ai shtoi se dëmi që i është bërë buxhetit të shtetit me këtë kontrabandë është mbi 3 milionë euro.

“Sipas provës që i kemi 80 mijë kg është kontrabanduar duhan, por shuma e taksave që e përbën pjesë e duhanit është më e madhe se tjetra dhe i është bërë mbi 3 milionë euro dëm buxhetit të Kosovës”, tha Llugaliu.

“Ne sot bazuar në aktakuzën e Prokurorisë në Prizren i kemi suspenduar edhe zyrtarët doganorë për shkak të dyshimit të bazuar që ka gjetur gjatë hetimit me oficerët doganorë ne vlerësojmë që duhet të dërgohet një mesazh që do të ketë politika jotoleruese për çdo abuzim, neglizhencë që i bëhet detyrës për zyrtarët doganorë”, tha ai.

Llugaliu nuk dha detaje për rastin e sotëm të kontrabandës me kokainë, pasi sipas tij, nuk dëshirojnë të ndërhyjnë në hetime të Policisë.