Policia Shtetit sekuestron 530 kilogram produkte ushqimore që dyshohet se janë kontrabanduar nga Greqia

Produkte ushqimore që dyshohet se u kontrabanduan nga Greqia për tu shitur më pas në Shqipëri janë sekuestruar nga Policia e Shtetit nga një aksion të cilin e kanë zhvilluar.

Policia e Shtetit ka njoftuar se rasti u zhvillua si rezultat i bashkëpunimit të Seksionit të Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Financiare të policinë në Korçë, AMP Korçë-Elbasan dhe Komisariatit të Policisë Devoll.

Nga ky rast një person është arrestuar ndërsa për një tjetër kanë nisur procedurat penale. Të dy sipas policisë janë kapur duke transportuar sasinë e produkteve ushqimore të ndarë në kuti. 

“Në vijim të punës për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të kontrabandimit me mallra, informalitetit, si dhe falë inteligjencës policore dhe bashkëpunimit të specialistëve për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar të DVP Korçë, AMP Korçë-Elbasan dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, u godit një tjetër rast. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Sh., 28 vjeç dhe u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. Xh., 28 vjeç, të dy banues në fshatin Vidohovë, Devoll”- thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit. 

Tutje ata kanë dhënë edhe detaje nga aksioni. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, në aksin rrugor “Miras-Bilisht” në afërsi të fshatit Kuç, Devoll, gjatë kontrollit të ushtruar në një automjet, me drejtues shtetasin A. Sh., dhe pasagjer shtetasin A. Xh., gjetën 530 kg produkt ushqimor (fruta të thata), i cili dyshohet të jetë kontrabanduar nga Greqia. Sasia e produktit ishte e ndarë në kuti, me mbishkrime në gjuhët greke dhe angleze, dhe ishte e papajisur me fatura blerjeje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.