Dosja: Si u lirua i akuzuari për sulm seksual ndaj nxënëses nga Podujeva

Një vajzë 14 vjeçare ishte sulmuar seksualisht në njërën nga shkollat e Podujevës në nëntor të vitit të kaluar sulmuesi një 19 vjeçar ishte liruar 48 ditë pas arrestimit në një proces kontrovers të zhvilluar në gjykatën e Prishtinës.

KALLXO.com ka arritur të siguroj dosjen e cila është ndjekur penalisht nga prokurori Ruhan Salihu njëri nga prokurorët e përfolur ditëve të fundit për shkak se kishte gisht në hetimin e rastit të dhunimit të 11 vjeçares e po ashtu ishte përgjegjës në dështimin e hetimit të dhunimit të një fëmije Rom i cili u vra më pas në Fushë Kosovë.

Dosja e hetuar nga prokurori Salihu publikohet pasi KALLXO.com intervistoi, babain e viktimës i cili denoncoi se i dyshuari është liruar.

Ngjarja e rëndë e përshkruar nga babai i viktimës tregonte se vajza 14 vjeçare, ishte mbyllur brenda një klase nga dy persona të dyshuar të cilët kishin tentuar ta dhunonin por gjithmonë sipas rrëfimit të babait, vajza kishte arritur të shpëtonte për shkak të zhurmës që kishin krijuar nxënësit një kat më lart.

I dyshuari Rr.P., ishte arrestuar nga policia mbrëmjen e 26 nëntorit të vitit të kaluar pasi ishte identifikuar nga e mitura se i njëjti kishte tentuar ta kryente aktin brenda hapësirave të një shkolle. Në një kohë shumë të shpejtë prokuroria e Prishtinës kishte hetuar këtë ngjarje.

Prokurori Ruhan Salihu për më pak se 26 ditë kishte hetuar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe kishte ngritur aktakuzë vetëm për njërin nga personat e dyshuar. Rr.P u akuzua për sulm seksual.

Ai përshkruhet se shkoj në shkollë hyri në një klasë me viktimën ku atë e kapi për prapanice dhe kishte tentuar ta puthte.

Edhe në dosje përmendet që personi me inicialet E.S e kishte mbajtur derën e klasës ku kishte ndodhur sulmi, ai nuk është pjesë e aktakuzës. I njëjti është cilësuar nga prokurori vetëm si dëshmitar.

Ngritja e aktakuzës kishte mundësuar hapa të tjerë.

Në një kohë po ashtu rekord Gjykata e Prishtinës kishte caktuar seancën për shqyrtimin fillestar të kësaj aktakuze. E dorëzuar me datë 22 dhjetor aktakuza nisi të trajtohet me datë 13 janar para gjykatësit Adnan Isufi.

Në këtë seancë ishte vendosur edhe për lirimin nga paraburgimi të të dyshuarit Rr.P.

Dosja përshkruan rol kritik të prokurorit Ruhan Salihu në lirimin e personit të akuzuar për sulm seksual.

Gjatë seancës avokati kishte kërkuar që personi të lirohet në arrest shtëpiak ndërsa prokurori ishte pajtuar me këtë propozim. Dosja shkruan se prokurori Salihu i tha gjykatës se personi nuk duhet të qëndroj më gjatë në paraburgim për shkak se është ngritur aktakuza.

Pas lirimit nga arresti shtëpiak, dëshmitë e babait të të miturës flasin se i dyshuari sërish i ishte afruar viktimës dhe e kishte shqetësuar ndërsa e njëjta kishte marrë edhe trajtim psikologjik për shkak të gjendjes së saj pas rastit që kishte ndodhur.

Kronologjia e ngjarjes

Sipas të miturës më datë 24 nëntor, rreth orës 12 i akuzuari tashmë 19 vjeçari Rr.P., në një nga klasat e shkollës për qëllime seksuale edhe pse e ka ditur që vajza është e mitur e ka prekur dhe sulmuar seksualisht.

Deri sa vajza kishte shkuar nga një klasë në tjetrën për të marrë një karrige, gjithmonë sipas dosjes së gjykatës, 19 vjeçari është vënë pas saj dhe pa dëshirën e saj e ka prekur në pjesë të trupit dhe nuk e ka lënë të dal nga klasa deri ka rënë zilja e shkollës.

Këto dëshmi të vajzës kanë bërë që gjykata të aprovonte kërkesën e prokurorisë që 19 vjeçari të dërgohej në paraburgim për 30 ditë.

Masën e paraburgimit e kishte kundërshtuar sipas vendimit që ka siguruar KALLXO.com edhe avokati i 19 vjeçarit, Ali Beka.

Më 2 dhjetor të vitit 2021 Prokurori Ruhan Salihu kishte ngritur aktakuzë ndaj 19 vjeçarit ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vazhduar masën e paraburgimit edhe për një muaj ndaj të njëjtit.

Kjo për shkak se kishte vlerësuar se masa e paraburgimit në atë fazë ishte e domosdoshme për të siguruar praninë e 19 vjeçarit dhe se nëse i njëjti do të lihej i lirë, sipas gjykatës do të pengonte rrjedhën e procedurës penale.

19 vjeçarit Rr.P, i ishte vazhduar paraburgimi deri më 25 janar të këtij viti por që më pas masa ishte ndërprerë për të vazhduar në arrest shtëpiak. Dosja e gjykatës vazhdon me një vendim tjetër.

Më 13 janar 19 vjeçarit i ishte ndërprerë masa e paraburgimit ndërsa i ishte vendosur masa e arrestit shtëpiak. Kjo u bë me kërkesë të avokatit të të pandehurit në seancën për shqyrtimin fillestar. Ai këtë masë do ta mbante deri më 12 shkurt të këtij viti.

Në lidhje me kërkesën e avokatit të 19 vjeçarit, prokurori Ruhan Salihu nuk e kishte kundërshtuar me arsyetimin se ndaj të njëjtit ishte ngritur tashmë aktakuza dhe kishin përfunduar hetimet.

Pas deklarimit të prokurorit Salihu siç përmendet edhe në vendim, Gjykata kishte vendosur që t’i zëvendësohej masa e sigurisë 19 vjeçarit.

Disa muaj më vonë, më saktësisht në gusht, avokati i 19 vjeçarit kishte kërkuar që ndaj klientit të tij të hudhet poshtë aktakuza.

Kjo për shkak se sipas tij provat për rastin janë marrë jashtëligjshëm. Gjykata Themelore në Prishtinë, më saktësisht gjyqtari Adnan Isufi kishte vendosur që të refuzoj këtë kërkesë.

Kush është personi i dytë që përmendi babai i të miturës në KALLXO.com?

Dy persona i përshkruan babai i 14 vjeçares se kanë marrë pjesë në tentim- dhunimin ndaj vajzës së tij. Ai në një intervistë për KALLXO.com kishte thënë se kishte marrë informacione se ishte ngritur një aktakuzë por nuk e dinte për çfarë vepre penale dhe ndaj kujt.

Në lidhje me rastin e vajzës së tij ai ngriti dyshimet se pse vetëm një person ishte arrestuar deri sa vajza e tij kishte rrëfyer se ishin dy persona, një nga ta mbante derën që të mos hynte askush në klasë.

Ky veprim sipas babait të të miturës ishte bashkëkryerje në vepër penale. Në dosjen që ka siguruar KALLXO.com personi i dytë shfaqet si dëshmitar i rastit, është shok i 19 vjeçarit të akuzuar.

Në dëshminë e tij, personi i dytë me inicialet E.S., kishte rrëfyer se në ditën kritike së bashku me 19 vjeçarin Rr.P., kishin shkuar në shkollën ku ishte e dëmtuara ndërsa përmend edhe rastin se meqenëse dera e klasës nuk kishte dorezë, 19 vjeçari i kishte kërkuar që ta mbajë mbyllur atë.

Edhe ky person sipas vendimit të gjykatës ka qenë në dijeni se viktima është e mitur dhe se të njëjtën e kishte përqafuar pasi që nuk kishte qenë në dijeni se ‘ndalohet me ligj që të përqafoj vajzat nën moshën 16 vjeçe pa lejen e tyre’.

“Babai i të miturës kishte rrëfyer se ishte në punë në ditën kur vajza kishte raportuar rastin në polici. Brenda objektit të shkollës ka ndodhur në një klasë ku nuk ka pas as nxënësa, e ka kapur për dore siç thotë vajza, e ka ngreh ka tentu me dhunu por fatmirësisht nuk ka mundur, nuk ka arritë qëllimin me dhunu, kanë qenë dy persona, dytë nuk kanë qenë nxënës të asaj shkolle por kanë qenë huliganë që kanë hy në shkollë”- kishte rrëfyer babai i 14 vjeçares.

Sipas tij, Prokuroria dhe Gjykata kishin marrë masa për një kohë shumë të shkurtë.

Derisa shton se si familje nuk e kanë asnjë informacion se çfarë ka ndodhur me rastin.

“Rasti ka ndodhur brenda objektit të shkollës, në klasë kanë hyrë dy persona, e kanë kapur për dore, por fatmirësisht nuk kanë arritur ta dhunojnë. Të dy personat janë identifikuar, por Prokuroria njërit i ka ngritur aktakuzë, e tjetrit jo” – shtoi babai i të miturës.

Identifikimi, sipas tij, është bërë me telefon pasi është kërcënuar edhe ashtu.

“Mesazhet nuk i kam pa pasi vajza nuk m’i ka treguar. Sipas saj, djemtë janë huliganë të asaj shkolle, dhe vazhdimisht kanë hyrë e dalë ashtu” – tha ai.

Po ashtu, sipas babait, një ditë në qytet vajza prapë e ka parë njërin person. Ajo kishte hyrë në një lokal dhe personi e kishte përcjellë.

Ai shton se vajza ka marrë trajtim te mjeku pasi ka qenë keq.

Për të sqaruar këto rrethana kallxo.com ka kërkuar sqarime nga Prokuroria e Prishtinës mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli prokuroria nuk është përgjigjur.