Tahiri, pyetje LVV-së: Çka është kjo heshtje për mostrat e rastit Dehari? 

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje të jap shpjegime se përse po qëndron e heshtur lidhur me rastin e mostrave të Astrit Deharit.

Ai ka pyetur se ku qëndruan ato mostra për një vit e gjysmë dhe a pati ndërhyrje në to.

Krahas kësaj, ai ka pyetur deputetët e LVV-së pse nuk e votuan Komisionin hetimor parlamentar për zhdukjen e këtyre mostrave.

“Kush i vodhi mostrat e rastit Dehari? Ku qëndruan ato për një vit e gjysmë? Për çka shërbyen ato mostra jashtë Institutit? A pati ndërhyrje në mostra në kohën sa ishin jashtë Institutit? Kush i ktheu ato? Pse nuk pranuat ta votoni komisionin hetimor parlamentar për zhdukjen e këtyre mostrave? Nuk mund të fshiheni nga e vërteta! Ne nuk do të ndalemi deri të sqarohet gjithçka”- ka thënë ai.

Në vitin 2022, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, kishte konfirmuar se kishin pranuar informacione për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe se kishin filluar hetimet lidhur me këtë rast.

Në shkurt të vitit 2024, Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar themelimin e Komisionit hetimor për zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit.

Themelimi i këtij komisioni është kundërshtuar nga partia në pushtet- Lëvizja Vetëvendosje.

Më 29.03.2024, brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore, njësi të hetimeve kanë bërë verifikime në disa frigoriferë.

Kontrolli lidhej me rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit.

KALLXO.com ka mësuar nga burimet e saj se janë kontrolluar disa frigoriferë në të cilët mbahen mostrat e përgatitura për zhdukje.

Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit, kontroll në IML