Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri: Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme të nis nga 1999, jo nga 2008

Ish-ministri i Drejtësisë dhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Ablerad Tahiri në diskutimin rreth projektligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme ka thënë se trajtimi i rasteve nuk duhet të ndalet me 17 shkurt të vitit 2008, por të vlejë që nga vitit 1999 e tutje.

“Unë konsideroj se krim, korrupsion dhe keqpërdorim të parasë publike dhe keqpërdorimit të privatizimit ka pasur edhe më herët. Prandaj mendoj se nuk do të duhet të ndalemi me 17 shkurt 2008. Mendoj që duhet të vlejë prej keqpërdorimit të 99-tës e tutje”, ka thënë Tahiri.

Ai bëri të ditur se në leximin e këtij projektligji, Tahiri tha se ka nxjerrë tetë raste kur ky projektligj bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

“Në leximin tonë të këtij projektligji janë nxjerrë tetë raste ku ky projektligj bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk e besoj që Qeveria e Kosovës nuk ka jurist të përgatitur mirë për me i detektu këto shkelje”, tha Tahiri.

Tutje, ai tha se punësimi i disa zyrtarëve publikë me rreth 4 vjet pune në një agjenci të tillë si Byroja Shtetërore ku bëhet verifikimi i pasurisë, nuk mund të jetë efikas.

“Punësimi i disa zyrtarëve publikë në një agjenci me 3-4 vjet pune, ku e bëjnë verifikimin e pasurisë së kujtdo qoftë e bën të pamundur me qenë efikas. Prokurori duhet me përfundu provim të jurispudencës, gjithë atë shkollë, gjithë atë angazhim, përvojë mu bo kryeprokuror i krimeve të rënda edhe me mujtë me fillu një angazhim në konfiskim të pasurisë. Tash po mendojmë që një zyrtari me nja gjashtë vjet përvojë punë në administratë me ia dhënë një kompetencë të tillë, nuk mendoj që mundet me qenë efikas”, ka deklaruar Tahiri.

“Besoj që Republika e Kosovës ka prokurorë, ka hetues të mirë të cilët munden me e rritë angazhimin dhe luftimin kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe me qenë më efikas në konfiskimin e pasurisë”, shtoi ai.