Supremja i jep dritën gjelbërt fillimit të punimeve në 'Rrugën A'

Gjykata Supreme përmes aktvendimit të datës 18.03.2024 ka vendosur në mënyrë finale se punimet në ‘Rrugën A’ do të vazhdojnë.

Supremja, e ka refuzuar duke e konsideruar të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të “Pro & CO Group” kundër aktvendimit të Gjykatës Komerciale të datës 29.12.2023 përmes të cilit iu hapë rruga punimeve në ‘Rrugën A’.

Projekt ky i pezulluar që nga viti i kaluar për shkak se “Pro & CO Group” në cilësinë e operatorit ekonomik konkurues ishte ankuar se kishte pasur shkelje procedurale në lidhjen e kontratës për ndërtimin e saj.

Gjykata Supreme ka vlerësuar se vendimi i marrë në fund të vitit të kaluar nga dhoma e shkallës së dytë ka vendosur drejtë dhe në baza ligjore me aprovimin si të bazuar të ankesës së të paditurës Organit të Shqyrtimit Publik dhe palëve të interesuara Komuna e Prishtinës dhe OE “Sallahu” Sh.p.k., dhe ndryshimin e aktvendimit të dhomave të shkallës së parë.

Sipas konstatimeve të Supremes, aktvendimi i kontestuar nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave ligjore.

Ky aktvendim është vlerësuar se përmban arsye të mjaftueshme dhe bindëse për të gjitha faktet sipas së cilave ka rezultuar se kërkesa propozimi i paditësit “Pro & CO Group”, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të organit të paditur, të OSHP, të datës 19.04.2023, është e pa bazuar.

Sipas vlerësimit të kësaj gjykate paditësi nuk ka arritur të dëshmojnë me prova bindëse dhe konkrete mbështetjen e kërkesës së tij, fillimisht se me ekzekutimin e vendimit të organit administrativ do t`i shkaktohej dëm i cili vështirë do të riparohej, që shtyrja-pezullimi i ekzekutimit të vendimit të kontestuar nuk është në kundërshtim me interesin publik, dhe shtyrja nuk do t`i shkaktonte dëm të pa riparueshëm apo të madh palës kundërshtare, përkatësisht palës së interesuar.

Kolegji i Gjykatës Supreme i përbërë nga: Ragip Nimani – kryetar, dhe anëtarët Nebojsha Boriqiq dhe Zenel Leku, i vlerësoi si të pa bazuara sepse nuk mbështeten me prova dhe fakte, pretendimet që paditësit i shkaktohet dëm i cili vështirë do të riparohej deri në vendosjen meritore të çështjes.

Gjykata Supreme ka konsideruar se si do që të vendoset çështja kryesore sipas padisë, do të jetë i mundur kompensimi sipas procedurave dhe mënyrave ligjore, ashtu që çfarëdo dëmi eventual që mund të pësojë paditësi do të jetë i riparueshëm, meqë bëhet fjalë për realizimin e projektit në vlerë monetare.

Mëtutje të pabazuara janë vlerësuar edhe pretendimet në kërkesë lidhur me interesin publik, ku theksohet se: dëmi që shkaktohet nga ekzekutimi i vendimit të kundërshtuar prekë edhe taksapaguesit dhe buxhetin e Komunës së Prishtinës, me paratë e të cilëve është financuar projekti kapital për ndërtimin e Rrugës A – pjesa e parë.

Kjo sepse kolegji këto pretendime i ka parë si të pabazuara dhe të paqëndrueshme në raport e objektin e çështjes në shqyrtim, duke konsideruar se gjykata në këtë fazë nuk ka për detyrë të vlerësoj çështjet që ndërlidhen me objektin e padisë lidhur me vendosjen meritore të çështjes për deri sa kujdesin për koston e projektit dhe çështjeve buxhetore përkujdesjen në këtë drejtim e kanë organi i paditur, autoriteti kontraktues dhe organet tjera kompetente.

Pretendimet në kërkesë lidhur me shkeljet thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, janë vlerësuar arsyetime të paqëndrueshme, të mangëta, të pamjaftueshme, kamufluese, jokoherente dhe kontradiktore, thuhet më tutje në aktvendim.

Më datë 14.07.2022, Kuvendi Komunal i Prishtinës, kishte publikuar Njoftimin për të operatorin e përzgjedhur kontratën për “Ndërtimi i Rrugës A-Pjesa e parë”.

Më datë 01.03.2023 Pro & Co Group SH.P.K kishte dorëzuar pranë Kuvendit Komunal Kërkesën për rishqyrtimin e vendimit të cituar më lart, e cila është refuzuar si e pabazuar me vendimin e Kuvendit Komunal, dt. 08.03.2023.

Më datë 17.03.2023, Pro & Co Group SH.P.K, i pakënaqur me vendimin e Kuvendit Komunal, ka parashtruar ankesë pranë Organit të Shqyrtimit Publik, me kërkesë që të aprovohej ankesa, të anulohej njoftimi mbi vendimin i AK dhe lënda të kthehej në rivlerësim.

Më datë 19.04.2023, OSHP nxjerrë vendim me të cilin refuzoi si të pabazuar ankesën e paraqitur nga GOE “Levantina Ingenieria Y Construccion” dhe Pro & Co Group SH.P.K, duke vendosur që të mbetet në fuqi vendimi i Kuvendit Komunal.

Më 30.11.2023 Komercialja kishte vendosur të shtyjë ekzekutimin e këtij vendimi të nxjerrë nga OSHP.

Më 16 nëntor 2023, Dhoma e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale kishte vendosur që çështja të kthehej në rigjykim.

Me aktvendimin e marrë më 30.11.2023 Dhomat e Shkallës së parë kishin vendosur të shtyhet ekzekutimi i vendimit të nxjerrë nga i padituri Organi Shqyrtues i Prokurimit, duke i pezulluar sërish punimt deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata.

Raportimet paraprake lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar këtu.