Shkalla e dytë e Komerciales lejon vazhdimin e punimeve në 'Rrugën A'

Dhoma e Shkallës së Dytë e Gjykatës Komerciale ka vendosur t’i hapë rrugë punimeve në “Rrugën A”, pasi shkalla e parë i kishte pezulluar dy herë punimet.

Komercialja kishte vendosur të shtyjë ekzekutimin e vendimit të nxjerrë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit më 19 prill 2023, lidhur projektin “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e Parë”.

Duke marrë kështu vendim që sërish të pezulloheshin punimet në këtë rrugë deri në një vendim përfundimtar.

Ky vendim ishte marrë më 30 nëntor 2023, nga gjyqtarja e çështjes, Vlora Pacolli- Rexhepi.

Por dhoma e shkallës së dytë të kësaj gjykate ka vlerësuar ndryshe.

Ankesë ndaj vendimit për pezullim të punimeve ka parashtruar Komuna e Prishtinës dhe kompania “Sallahu” si palë të interesuara, dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit si palë e paditur në këtë çështje.

Sipas shkallës së dytë, shkalla e parë nuk ka arritur të japë arsye bindëse se shtyrja e ekzekutimit do t’i sillte dëme paditësit, në këtë rast “PRO &Co Group”.

Tutje, gjykata ka vlerësuar se vendimi i marrë ishte i shoqëruar me shkelje të rregullave të procedurës kontestimore.

Kolegji i përbërë nga Dren Rogova – kryetar, Saranda Bogaj- Sheremeti dhe Krenar Berisha – anëtarë, ka vlerësuar se shkalla e parë nuk e ka përcaktuar drejtë interesin publik, i cili në rastin konkret është i kufizuar në interesin për të vazhduar ose jo projektin.

Më 16 nëntor 2023, Dhoma e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale kishte vendosur që çështja të kthehej në rigjykim.

Shkalla e parë kishte vlerësuar se shtyrja e përkohshme e ekzekutimit të vendimit të kundërshtuar dhe pezullimi i aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e Parë”, e iniciuar nga Autoriteti Kontraktues – Komuna e Prishtinës, deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara procedurale, është veprim i duhur që të ruhej interesi publik.

Në vendimin e gjykatës thuhet se qëllimi i masës së përkohshme është të mbrojë interesin publik, duke siguruar se operatori ekonomik që kryen punimet është i përshtatshëm dhe i besueshëm, se do të kryejë punimet pa mashtrime ose manipulime, duke përmbushur në mënyrë të plotë zotimet e tij dhe duke vepruar nën përgjegjësinë ligjore.

Punimet në “Rrugën A” në Prishtinë kanë filluar në prill të këtij viti.