Rikthehet në rigjykim vendimi për pezullimin e punimeve në Rrugën “A”

Dhoma e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale me kolegjin e përbërë nga gjyqtarët Ramush Bardiqi-kryetar, Krenar Berisha dhe Dren Rogova – anëtarë, kanë vendosur lidhur me ankesën e ushtruar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, dhe palët e interesuara Komuna e Prishtinës dhe “Sallahu” Sh.P.K., e cila ishte ushtruar pas vendimit të Gjykatës për pezullim të punimeve në “Rrugën A”.

Gjykata e ka aprovuar ankesën e palës ankimuese dhe palëve të interesuara dhe ka vendosur që lënda në fjalë t’i kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje dhomës së shkallës së parë të Gjykatës Komerciale.

Në vendimin e datës 16 nëntor kolegji i Gjykatës Komerciale – dhomat e shkallës së dytë, kanë vlerësuar se përfundimi dhe qëndrimi i Gjykatës së shkallës së parë nuk ishte i drejtë dhe si i tillë është i papranueshëm për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës kontestimore të cilat përbejnë arsye për anulimin e këtij aktvendimi.

Gjithashtu dhomat e shkallës së dytë kanë vlerësuar se aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është i drejtë ngase përmban shkelje thelbësore të Ligjit për konfliktet administrative.

Tutje në vendim thuhet se dispozitivi i aktvendimit është i pakuptueshëm, juridikisht i paqartë dhe jo i plotë, kundërthënës me vetveten dhe arsyetimin e tij. Në këtë kuptim, për shkak të paqartësive të shumta që hasen në të, që lidhen me disa nga rrethanat kyçe faktike e juridike që e karakterizojnë këtë konflikt administrativ, është vlerësuar se pamundësohet edhe përmbarimi i vendimit gjyqësor në fjalë.

Vendimi evidenton se shkalla e parë nuk ka ftuar palët e interesuara, përkatësisht Komunën e Prishtinës dhe “Sallahu” Sh.P.K. për shqyrtimin gjyqësor edhe pse ka konsideruar se është parë qartë interesi i tyre për pjesëmarrje në kontest,  dhe pasi që e drejta e tyre për t’i mbrojtur interesat që kanë është e përcaktuar me ligj. 

Kolegji ka konstatuar që përtej përshkrimit të dispozitave ligjore, Gjykata e shkallës së parë në vendimin e saj nuk kishte dhënë arsyetim të mjaftueshëm përkitazi me kriteret që duhet të plotësohen për të vendosur për pezullimin e vendimit të paditurës.

Shkalla e dytë i ka kërkuar shkallës së parë që në rivendosje t’i mënjanojë të metat e lartcekura, të kujdeset që çështja kontestuese të shqyrtohet në tërësi, duke iu lejuar dhe njohur të drejtat palëve të interesuar si palë në procedurë për shqyrtimin e çështjes në gjykatë, që t’i paraqesin provat për vërtetimin e pretendimeve të tyre, kështu që, të bëjë vërtetimin e të gjitha fakteve të nevojshme dhe rrethanave që janë me ndikim për vendosje.