rruga A

Komercialja pezullon sërish punimet në 'Rrugën A'

Gjykata Komerciale ka vendosur të shtyjë ekzekutimin e vendimit të nxjerrë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit më 19 prill 2023, i cili ishte lidhur me prokurimin për projektin “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e Parë”.

“Gjykata sqaron se shtyrja e përkohshme e aktivitetit të prokurimit deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor nuk është as pengesë dhe as ndalesë për Ndërtimin e Rrugës A” – thuhet në vendim.

Me këtë vendim, ekzekutimi i vendimit të OSHP-së do të shtyhet deri në marrjen e një vendimi përfundimtar për kërkesëpadinë.

Ndryshe, Gjykata Komerciale në tetorin e këtij viti, e kishte aprovuar të bazuar kërkesën e paditësit “Pro & CO Group”, sh.p.k për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të nxjerrë nga OSHP-ja, duke pezulluar punimet në ‘’Rrugën A’’.

Për këtë vendim, më 1 nëntor 2023, Komuna e Prishtinës dhe kompania “Sallahu” kanë deponuar ankesë në shkallën e dytë në Gjykatën Komerciale lidhur me pezullimin e punimeve për ndërtimet në “Rrugën A”.

Më 16 nëntor 2023, Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale kishin vendosur që çështja të kthehej në rigjykim.

Pas rikthimit të çështjes në rigjykim, gjykata ka marrë vendim që sërish të pezullohen punimet në ”Rrugën A” deri në një vendim përfundimtar.

Ky vendim është marrë më 30 nëntor 2023, nga gjyqtarja e çështjes, Vlora Pacolli- Rexhepi.

Sipas vendimit, gjykata ka vlerësuar se shtyrja e përkohshme e ekzekutimit të vendimit të kundërshtuar dhe pezullimi i aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e Parë”, e iniciuar nga Autoriteti Kontraktues – Komuna e Prishtinës, deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara procedurale, është veprim i duhur që të ruhet interesi publik.

“Kjo po ashtu do të evitojë çfarëdo dyshimi për keqpërdorim të fondeve publike nga Autoriteti Kontraktues. Në të kundërtën realizimi i projekti para përfundimit të shqyrtimit gjyqësor do të ndikonte negativisht në besimin e publikut lidhur me shfrytëzimin e fondeve publike nga Autoriteti Kontraktues” – theksohet tutje në vendim.

Në vendimin e gjykatës thuhet se qëllimi i masës së përkohshme është të mbrojë interesin publik, duke siguruar se operatori ekonomik që kryen punimet është i përshtatshëm dhe i besueshëm, se do të kryejë punimet pa mashtrime ose manipulime, duke përmbushur në mënyrë të plotë zotimet e tij dhe duke vepruar nën përgjegjësinë ligjore.

Sipas vendimit, gjykata ka vlerësuar se pretendimi i ngritur nga paditësi “Pro & CO Group”, Sh.p.k, dhe i mbështetur në provë të besueshme, aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 30 mars 2018, me të cilin drejtori ishte dënuar për veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” paraqet një çështje serioze që e vë në dyshim edhe përshtatshmërinë e OE “Sallahu” Sh.p.k, për ndërtimin e rrugës A – pjesa e parë.

Gjykata Komerciale, duke marrë në konsideratë se realizimi i projektit për ndërtimin e “Rrugës A” është në interes publik për mirëqenien e qytetarëve dhe në mënyrë që të mos zvarritet shqyrtimi i çështjes pa afat të caktuar, e ka caktuar edhe seancën përgatitore për ta trajtuar me prioritet këtë çështje, në mënyrë që çështja kontestuese të marrë një epilog përfundimtar brenda një kohe të arsyeshme.

Seanca përgatitore është caktuar të mbahet më 20 dhjetor 2023.

Punimet në “Rrugën A” në Prishtinë kanë filluar në prill të këtij viti.

Për këtë projekt është paralajmëruar të ketë 6 korsi gjithsej, prej të cilave të veçantë për autobusë, shtigje për biçikleta, qasje në rrugët anësore dhe ndërlidhje me “Rrugën B”.